Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) e Republikës së Kosovës ka njoftuar se, përmes Ambasadës në Austri, është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet austriake lidhur me ngjarjen tragjike që ndodhi sot në një shkollë në qytetin Graz.
Sipas informacioneve zyrtare të marra nga Zyra Federale e Policisë Kriminale në Vjenë (BKA), si pasojë e të shtënave me armë zjarri në ambientet e shkollës, kanë humbur jetën gjithsej 10 persona – gjashtë femra dhe katër meshkuj – përfshirë edhe autorin e dyshuar të sulmit, i cili dyshohet se ka kryer vetëvrasje.
Nga të dhënat e deritanishme të konfirmuara nga Policia Austriake, në mesin e viktimave ndodhet vetëm një shtetas i huaj me origjinë nga Polonia, ndërsa të tjerët janë shtetas austriakë, tha MPJD.
“Deri në këtë fazë të hetimeve, nuk raportohet për shtetas nga Kosova as në mesin e viktimave, as në mesin e të plagosurve”, thuhet në njoftimin e MPJD.
Tutje MPJD thekson se megjithatë, burime jozyrtare kanë bërë të ditur se mund të jetë edhe një viktimë e mitur me prejardhje nga Kosova, e identifikuar me inicialet L.B., e lindur në Austri në vitin 2010. Ky informacion ende nuk është konfirmuar nga autoritetet zyrtare.
“Autoritetet austriake nuk kanë publikuar ende një listë zyrtare të plotë të viktimave dhe të lënduarve, për shkak të ndjeshmërisë së rastit dhe moshës së të përfshirëve”.