Real Madrid pritet të shesë të paktën një lojtar të ekipit të parë në javët në vijim, pasi tani skuadra është në maksimumin e saj.
Me ardhjet e Dean Huijsen, Trent Alexander-Arnold, Franco Mastantuono dhe Alvaro Carreras, Xabi Alonso ka në dispozicion 25 lojtarë të ekipit të parë dhe për këtë arsye nuk mund të bëhen më transferime derisa të largohet dikush.
Rodrygo Goes, Ferland Mendy dhe David Alaba janë tre lojtarë me të cilët Real Madrid është i gatshëm të ndahet, ndërkohë që ka dyshime edhe për vazhdimësinë e Dani Ceballos dhe Endrick Felipe. Për më tepër, ekziston mundësia që edhe Brahim Diaz të largohet.
Kjo sepse Fenerbahce ka shprehur interesim për ta transferuar Brahim Diaz, sipas raporteve nga Turqia (përmes ED). Jose Mourinho, i cili drejtoi Real Madridin mes viteve 2010 dhe 2013, thuhet se ka kërkuar personalisht që reprezentuesi i Marokut t’i bashkohet skuadrës së tij para përfundimit të afatit kalimtar të verës.
Megjithatë, Mourinho dhe Fenerbahce duket se nuk do të kenë fat në këtë rast, pasi thuhet se Brahim Diaz me shumë gjasë do të mbetet te Real Madrid të paktën edhe një sezon tjetër. Së fundmi është bërë e ditur se 25-vjeçari ka arritur marrëveshje për rinovimin e kontratës, ndërsa zyrtarizimi pritet të ndodhë në javët e ardhshme.
Brahim Diaz ka qenë një lojtar shumë i dobishëm për Real Madridin që nga rikthimi i tij nga Milani dy verë më parë, megjithëse pritet që sezonin e ardhshëm të ketë më pak hapësira për shkak të ardhjes së Franco Mastantuono, si dhe për faktin që Xabi Alonso llogarit më shumë në Arda Gulerin. Megjithatë, nuk pritet që ai të largohet nga Santiago Bernabeu.