Katia Aveiro, motra e Cristiano Ronaldos, ka reaguar me një mesazh të fuqishëm emocional pas zhurmës mediatike dhe kritikave që kanë shpërthyer në rrjet pas mospjesëmarrjes së Ronaldos në varrimin e Diogo Jotës dhe vëllait të tij, Andre Silva.
Në një postim të gjatë, Katia kujtoi dhimbjen e thellë që familja e saj përjetoi në vitin 2005, pas ndarjes nga jeta të babait të tyre, José Dinis Aveiro. Ajo tha se, përveç dhimbjes, ishin të detyruar të përballonin një vërshim të kamerave dhe njerëzve kureshtarë që e bënin edhe më të rëndë atë periudhë të errët.
“Kur vdiq babai im, përveç dhimbjes, ne është dashur të përballojmë një vërshim kamerash dhe shikuesish kuriozë, në varreza dhe kudo që shkonim. Dhe vëmendja nuk ishte ajo që është sot, në kuptimin e qasjes. Në asnjë moment ne fëmijët nuk ishim në gjendje të largoheshim nga kisha. Kjo ishte e mundur vetëm në kohën e varrimit, kaq e madhe ishte rrëmuja”, shkroi Katia.
Ajo kujton se në ceremoninë mortore morën pjesë personalitete të njohura, si presidentë dhe trajnerë të Kombëtares Portugeze, përfshirë edhe Luiz Felipe Scolarin, por që për shkak të tronditjes emocionale, ajo nuk arrinte të perceptonte asgjë përreth: “Dhimbja më verboi”, shkruan ajo.
Por në qendër të reagimit të saj ishte kritika ndaj atyre që kanë gjykuar mungesën e Ronaldos në ceremoninë mortore të Jotës. Sipas saj, shoqëria po tregon një nivel shqetësues të mungesës së empatisë dhe fanatizmit të verbër.
“Po bëhet e lodhshme. Fanatizmi. Kritika për asgjë, e përsëris, për asgjë. Shoqëri e sëmurë. Të gjithë kemi familje. Është në mënyrë absurde e turpshme të shikosh kanale televizive, komentues, rrjete sociale, duke theksuar një mungesë (të mençur), në vend se me respekt të nderosh dhimbjen e një familje të shkatërruar nga humbja e dy vëllezërve. Mua madje më vjen turp t’i shikoj. Është për keqardhje.”