“Motive të pretenduara familjare”, aktakuza e sotme për ish-policin F.R lidhet me vrasjen e axhës së burrit të presidentes - Gazeta Express
string(119) "motive-te-pretenduara-familjare-aktakuza-e-sotme-per-ish-policin-f-r-lidhet-me-vrasjen-e-axhes-se-burrit-te-presidentes"

Lajme

Gazeta Express

18/07/2025 16:03

“Motive të pretenduara familjare”, aktakuza e sotme për ish-policin F.R lidhet me vrasjen e axhës së burrit të presidentes

Lajme

Gazeta Express

18/07/2025 16:03

Prokuroria Themelore në Ferizaj, konkretisht Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuza sot kundër dy të pandehurve, Festim Ramadanit dhe J.M nga Ferizaj, për dyshimin e kryerjes së veprës penale “Vrasje e rëndë”.

Bëhet fjalë për rastin e ndodhur në gushtin e vitit 2024, kur ishte vrarë në parkingun e restorantit “Fron Palace”, Sadri Sadriu, axha i Prindon Sadriut, zotëriut të parë dhe burrit të presidentes Vjosa Osmani.

Prokuroria potencon se Festim Ramadani rreth orës 19 e 21 të 16 gushtit, gjatë një ceremonie martesore, me dashje dhe paramendim, për motive të pretenduara familjare por të pabazuara dhe të pakonfirmuara juridikisht, me armë zyrtare të Policisë së Kosovës, ,me breshëri plumbash ka shtënë në drejtim të Sadri Sadriut.

“Sipas aktakuzës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri F.R., më 16 gusht 2024, rreth orës 19:21, në parkingun e restaurantit “Fron Palace”, në fshatin Bibaj, komuna Ferizaj, gjatë një ceremonie martesore, me dashje dhe paramendim, me qëllim hakmarrjeje për motive të pretenduara familjare të pabazuara dhe të pakonfirmuara juridikisht, në prani të dhjetëra personave përfshirë të mitur, me armë zyrtare automatike të policisë, me dashje dhe qëllim të privimit nga jeta, me breshëri plumba shtën në drejtim të viktimës S.S., duke e privuar nga jeta, ku, si pasojë e të shtënave është rrezikuar seriozisht edhe siguria e personave tjerë të pranishëm në atë moment, me këtë veprim kreu veprën penale të ”Vrasjes së rëndë” nga neni 173 paragrafi 1, nën paragrafi 1.8 dhe 1.11 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Ndërsa J.M, akuzohet se kishte ofruar ndihmë për Festim Ramadanin që të privonte nga jeta viktimën, duke siguruar përimetrin deh parandaluar çfarëdo ndërhryrje që mund të pengonte F.R-në që të realizonte vrasjen.

“Kurse, i pandehuri J.M., më 16 gusht 2024, rreth orës 19:21, në fshatin Bibaj, komuna Ferizaj, në parkingun e oborrit të restaurantit “Fron Palace”, gjatë një ceremonie martesore me dashje ka ndihmuar të pandehurin F.R., në privimin nga jeta të viktimës S.S., ashtu që i pajisur me mjet të forte- sqepar, ka mbrojtur perimetrin e sulmit dhe ka parandaluar çdo ndërhyrje, në mënyrë që i pandehuri F,R., të realizonte pa pengesë veprën penale të vrasjes së rëndë, me këtë veprim në ndihmë kreu veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.8 dhe 1.11, lidhur me nenin 33 të KPRK-së”, vijon njoftimi i Prokurorisë.

Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur të shpallen fajtor për veprat penale për të cilat akuzohen dhe të dënohen sipas ligjit.

Në vitin 2024, kjo ngjarje kishte bërë bujë të madhe meqë pretendohej se vrasja është kryer në shenjë hakmarrjeje për një incident familjar. Ka pasur gjithashtu edhe raportime se për zënkën mes dy familjeve që kanë lidhje mes vete, ka qenë në dijeni edhe vetë Prindon Sadriu e Vjosa Osmani.

Presidentja Vjosa Osmani kishte reaguar atë kohë duke thënë se as ajo vetë e as bashkëshorti s’kanë pasur asnjë lidhje me rrethanat që kanë çuar në vrasjen e Sadri Sadriut, e aq më pak për rastin e dhunimit që është pretenduar si motivi kryesor i vrasjes.

“I njoftoj qytetarët e Kosovës se asnjë njohuri e asnjë lidhje me rrethanat që shpien në vrasjen e mbrëmshme nuk kam as unë e as bashkëshorti im, e aq më pak njohuri për ndonjë rast dhunimi”, kishte shkruar Osmani në reagimin e saj.