Ardhja e vjeshtës ka sjellë një valë moti të keq që ka goditur veçanërisht Italinë veriperëndimore. Një alarm portokalli u lëshua të dielën në disa zona të Lombardisë dhe Ligurias, ndërsa shira të rrëmbyeshëm kanë goditur provincën e Milanos që nga nata e kaluar.
Mediat italiane raportojnë se deri në agim, 30 milimetra shi kanë rënë në pjesën veriore të Milanos dhe mbi 80 milimetra në Paderno Dugnano, duke bërë që lumi Seveso të dalë nga shtrati dhe të përmbytë disa lagje në pjesën veriore të qytetit. Në Milano, përveç Seveso-s, edhe lumi Lambro është në një nivel shumë të lartë. Uji ka dalë nga pusetat në Via Vittorini, një qendër kyçe trafiku, ku janë instaluar barriera kundër përmbytjeve për të mbrojtur shtëpitë.
Edhe Lugina e Bormidës u godit rëndë, me rrëshqitje dheu dhe përmbytje, ndërsa shkollat u mbyllën në pothuajse të gjithë Ligurian, përveç Imperias.
Vala e motit të keq që goditi qytetin këtë mëngjes përmbyti edhe disa pjesë të Pallatit të Drejtësisë. Pellgje të mëdha uji u formuan në dysheme, aq sa energjia elektrike u ndërpre për siguri, ndërsa i gjithë aktiviteti brenda zyrave është pezulluar.
Sakaq Këshilltari i Mbrojtjes Civile të Milanos, Marco Granelli, u bëri thirrje banorëve të tregojnë “kujdes maksimal”.
Që nga fillimi i stuhisë, zjarrfikësit i janë përgjigjur më shumë se shtatëdhjetë thirrjeve në të gjithë rajonin, duke vazhduar të menaxhojnë emergjencat dhe të sigurojnë zonat e prekura.