Prokuroria Speciale nuk ka pranuar të tregojë nëse i kanë pranuar rezultatet e ekzaminimeve të mostrave biologjike të rastit Banjska. Para rreth një muaji është konfirmuar se mostrat janë dërguar në Finlandë për ekzaminim, meqë Laboratori i Toksikologjisë në vend është jashtë. Pa këto rezultate, s’pritet të ketë as aktakuzë, për mungesën e të cilës kryeministri Albin Kurti ka sulmuar vazhdimisht Prokurorinë Speciale.
Gazeta Express
Rreth një muaj më parë, Ministria e Drejtësisë ka konfirmuar se mostrat biologjike, të gjetura në vendin ku qëndruan terroristët që kryen sulmin në shtator të vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit, janë dërguar për ekzaminim në Finlandë.
Këto mostra do të mund të ekzaminoheshin edhe në Laboratorin e Toksikologjisë, që funksionon në kuadër të Institutit të Mjekësisë Ligjore, po të mos ishte jashtë funksionit shkaku i zjarrit që e kishte kapluar vjet.
Për këtë arsye, MD kishte thënë se në koordinim me Prokurorinë Speciale, mostrat janë dërguar jashtë vendit dhe se presin rezultatet brenda një afati optimal.
Gazeta Express ka pyetur Ministrinë e Drejtësisë nëse i kanë pranuar ende rezultatet nga Finlanda, por nga ky institucion kanë kërkuar që pyetjet të drejtohen në Prokurorinë Speciale. Informacion nuk kanë ofruar as nga Prokuroria Speciale, duke u arsyetuar me ruajtjen e integritetit të hetimeve.
“Lidhur me rastin për të cilin keni pyetur, Ju informojmë se Prokuroria Speciale në këtë fazë të procedurës nuk mund të ofron informacion, me qëllim të mos dëmtimit të procedurës hetimore”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë për Express.
Javën e ardhshme bëhen nëntë muaj nga dita kur u krye ky sulm terrorist ndaj Policisë së Kosovës, ku mbeti i vrarë heroi Afrim Bunjaku. Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radojiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe dhe i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Për këtë rast, akoma nuk është ngritur aktakuzë.
Kryeministri Albin Kurti në vazhdimësi ka kritikuar Prokurorinë Speciale për trajtimin e këtij rasti dhe mos ngritjen e aktakuzës.
Gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, më 14 prill të këtij viti, Kurti kishte thënë se edhe po të ishte java e tretë pa aktakuzë do të duhej të problematizohej kjo çështje, e jo që atëherë ishin bërë 30 javë nga sulmi.
“Këtu, më duhet të sjellë ndërmend që sot po hymë në javën e 30 prej kur kryekrimineli Milan Radoiçiq, i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar ende nuk ka aktakuzë nga Prokuroria e Shtetit tonë për sulmin terrorist që na e vrau, rreshterin, heroin, Afrim Bunjaku. Sulm për të cilin ai pranoi publikisht pjesëmarrjen dhe autorësinë. Edhe java e tretë po të ishte pa aktakuzë do të duhej të problematizohej se lërë më java e 30-të në të cilën hymë sot!”, kishte deklaruar Kurti.
Deklarata të ngjashme Kurti kishte dhënë edhe më herët, ku kishte nxitur reagimin e Këshillit Prokurorial.
KPK i kishte kërkuar Kryeministrit që të qëndrojë larg institucioneve të sistemit prokurorial.
“Rrjedhimisht, KPK-ja kërkon nga Qeveria e Kosovës që të lejojë të gjitha organet të veprojnë në përputhje me ligjet dhe autorizimet e vlefshme në vend dhe se këto deklarata i quan paraqitje publike të ricikluara të Kryeministrit që kanë përmbajtje tendencioze ndaj institucionit të Prokurori të Shtetit dhe bazohen në veprime jokorrekte, joetike, të padinjitetshme dhe mbi paragjykime dhe hamendësime të shpeshta, të cilat po bëhen në secilin rast që atij dhe anëtarëve të kabinetit të tij iu jepet mundësia”, thuhej ndër të tjera në reagim.
Krerët e shtetit disa herë kanë lëshuar deklarata, përmes të cilave kanë lënë të nënkuptojnë se për ngjarjet që ndodhën në Banjskë, po kryhen edhe hetime ndërkombëtare.
Kryediplomatja Donika Gërvalla, kishte thënë se janë në pritje të hetimeve që po kryhen nga Bashkimi Evropian, por nga BE s’kanë konfirmuar asnjëherë diçka të tillë.
Gazeta Express kishte raportuar me burime se nga Brukseli i besojnë Policisë së Kosovës për këtë hetim dhe se nuk janë duke zhvilluar hetime paralele.
“Jemi në pritje të deklarohet për atë çka ka ndodhur në 24 shtator. Ende jemi në pritje dhe ende përgjigja që dëgjojmë është që ende nuk kemi përfunduar hetimet. Mendoj që do të duhet të ishin përfunduar kohë më parë, sepse dëshmitë janë shumë të qarta rreth asaj çfarë ka ndodhur më 24 shtator në Kosovë, akti i 24 shtatorit është kryer me metoda terroriste, por ka qenë një akt i hapur që ka tentuar të aneksojë, pra, të pushtojë territor të Kosovës dhe presim një gjuhë shumë të qartë nga Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare të Bashkimit Evropian se përndryshe besimi për të negociuar me Serbinë është dobësuar shumë”, ka deklaruar Gërvalla.
Një raport preliminar të shtetit lidhur me këtë ngjarje veçse e kanë pranuar nga BE. Në këtë raport 50 faqësh të Ministrisë së Punëve të Jashtme renditen “dëshmi të mbledhura dhe të vlerësuara nga institucionet e zbatimit të ligjit të Kosovës” se Serbia qëndron mbrapa aktit terrorist ndaj Policisë së Kosovës.
Edhe deputetja britanike, Alicia Kearns, kishte thënë se një shtet i jashtëm është duke kryer hetime për sulmin. Kearns nuk kishte pranuar të tregojë se për cilin shtet bëhet fjalë.
“Me sa kam kuptuar njëra prej shteteve të jashtme është duke bërë vetë hetim dhe kjo do të bëhet publike, dhe natyrisht Qeveria e Kosovës është duke e zhvilluar hetimin e vet po ashtu. Qeveria e Kosovës do të shohë drejtësi, do t’i shohë njerëzit në gjyq, si dhe ata që e kanë mbijetuar sulmin, ata që kanë humbur por edhe ata që kanë qenë dëshmitarë e meritojnë ditën në gjyq ku Millan (Radoiçiq) duhet me qenë aty në gjyq duke dhënë llogari”.
“Nuk jam e sigurtë a është kjo e ditur publike kështu që do të përmbahem prej komentimeve të mëtutjeshme lidhur me këtë”, kishte thënë Kearns.
Se ky rast po hetohet edhe nga ndërkombëtarët, kishin deklaruar edhe nga Presidenca.
Deklarata e Presidencës ishte mbështetur më pas edhe nga Kryeparlamentari Glauk Konjufca. Në një deklaratë për T7, Konjufca kishte thënë se secili shtet anëtar i BE-së dhe i NATO-s është duke i bërë hetimet e tyre, derisa kishte shtuar se NATO dhe EULEX do të dalin me raporte përfundimtare.
“Ende hetimet nuk kanë përfunduar. Secili shtet anëtar i BE-së dhe i NATO-s është duke i bërë hetimet e tyre edhe nacionale. Pra, Republika e Kosovës do ta ketë një hetim përfundimtar, NATO-ja do të dalë me një raport përfundimtar, EULEX-i, misioni i Bashkimit Europian del me raportin e vetë të pavarur, shtetet nacionale, secili është duke i bërë hetimet e veta. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania me institucionet e tyre që i kanë në Kosovë, secili edhe në baza nacionale është duke i bërë hetimet e veta”, kishte deklaruar kryeparlamentari.
Duke përmendur shtetet që po e hetojnë sulmin në Banjskë, Konjufca e kishte përmendur edhe Gjermaninë. Por, nga Qeveria e Gjermanisë kishin deklaruar se nuk janë të angazhuar lidhur me këtë çështje.
“Nuk ka asnjë hetim që është duke u zhvilluar nga ana jonë”, kishte theksuar një zëdhënës i Qeverisë Gjermane për Gazetën Express.
Edhe nga NATO, të pyetur nëse po kryejnë hetime, kishin deklaruar se hetimi zyrtar lidhur me sulmin në Banjskë, po kryhet nga Policia e Kosovës.
“Hetimin zyrtar për ngjarjet e përmendura po e kryen Policia e Kosovës, si reaguese e parë e sigurisë. Kështu që ju referoj tek ata për çdo koment të mëtejshëm”, kishte deklaruar një zyrtar i NATO’s për Express.
Nga Policia e Kosovës s’kanë pranuar të deklarohen asnjëherë lidhur me rrjedhën e hetimeve, vetëm se rasti po koordinohet me Prokurorinë e Shtetit.
Sipas Kodit të Procedurës Penale, hetimi përfundon brenda dy viteve.
Por, në bazë të kërkesës së prokurorit të shtetit, “gjyqtari i procedurës paraprake mund të autorizojë zgjatjen e hetimit nga paragrafi 1 i këtij neni deri në një vit, kur prokurori i shtetit dëshmon se hetimi është zhvilluar në mënyrë aktive dhe se çdo vonesë është jashtë kontrollit të prokurorit të shtetit.”