Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi se janë ndaluar tre persona në kohëzgjatje prej 48 orësh.
Ndër ta është edhe Gramos Krasniqi, reperi i njohur si “Mossi”, i cili së bashku me dy të tjerët e kanë sulmuar gazetarin Burim Pacolli.
“Njëri nga të dyshuarit është edhe reperi i njohur me nofkë ‘’Mossi’’, i cili dyshohet për kryerjen e veprës penale ‘’Lëndim i lehtë trupor’’, sipas nenit 185 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, veprës penale ‘’Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’’, sipas nenit 269 të KPRK-së, si dhe veprës penale ‘’Kanosje’’, sipas nenit 181 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.
Prokuroria thotë se brenda afatit të përcaktuar ligjor, do të parashtrojë kërkesën në gjykatë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë mbetet e përkushtuar në trajtimin me prioritet të rasteve që cenojnë sigurinë dhe integritetin e qytetarëve, si dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore në përputhje me kompetencat e saj”.