Presidenti Donald Trump publikoi një seri postimesh në rrjetet sociale këtë mëngjes, duke thënë se e vetmja pikë që “kishte vërtet rëndësi” në bisedimet me iranianët ishte çështja bërthamore, raporton CNN.
Kjo vjen pas 21 orësh negociatash mes SHBA-së dhe Iranit, pas të cilave zëvendëspresidenti JD Vance tha se të dyja palët dështuan ta arrinin një marrëveshje.
“Pra, ja ku e keni, takimi shkoi mirë, shumica e pikave u dakorduan, por e vetmja pikë që kishte vërtet rëndësi, BËRTHAMORE, nuk u dakordua”, shkroi Trump në një postim në rrjetet sociale të dielën në mëngjes.
“Mund të hyj në shumë detaje dhe të flas për shumë gjëra që janë arritur, por ka vetëm një gjë që ka rëndësi — IRANI NUK ËSHTË I GATSHËM TË HEQË DORË NGA AMBICIET E TIJ BËRTHAMORE! Në shumë mënyra, pikat që u dakorduan janë më të mira sesa të vazhdojmë operacionet tona ushtarake deri në përfundim, por të gjitha këto pika nuk kanë rëndësi krahasuar me lejimin që fuqia bërthamore të jetë në duart e njerëzve kaq të paqëndrueshëm, të vështirë dhe të paparashikueshëm”, tha ai në një postim të dytë në rrjetet sociale.
CNN raportoi më parë se për SHBA-në, refuzimi i Teheranit për ta rihapur Ngushticën e Hormuzit dhe për të hequr dorë nga rezervat e tij të uraniumit shumë të pasuruar ishin të papranueshme gjatë bisedimeve.