Mosmarrëveshje për ujdinë e targave, BE-ja nuk përzihet - Gazeta Express
string(56) "mosmarreveshje-per-ujdine-e-targave-be-ja-nuk-perzihet-2"

Lajme

Gazeta Express

24/11/2022 17:48

Mosmarrëveshje për ujdinë e targave, BE-ja nuk përzihet

Lajme

Gazeta Express

24/11/2022 17:48

Sipas kryeministrit Albin Kurti, me marrëveshjen e së mërkurës mes Kosovës dhe Serbisë, targat ilegale të lëshuara nga Beogradi do të nxirren nga përdorimi. Të kundërtën e thonë në Beograd. Ndërkohë, BE-ja nuk ka asgjë për t’i shtuar deklaratës së kryediplomatit europian, Josep Borrell për marrëveshjen.

Gazeta Express

Lexo Edhe:

Siç pritej, interpretimet në Prishtinë dhe në Beograd nuk janë të njëjta për marrëveshjen që u arrit të mërkurën në mbrëmje.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se dakordimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel “nuk është marrëveshje për targat”. Ajo e përmban pjesën që palët duhet të diskutojnë lidhur me planin franko-gjerman. Ky ishte qëllimi, tha Kurti në Kuvend.

“Qëllimi ynë ishte që propozimi franko-gjerman të bëhet çështja e bisedimeve në Bruksel drejt arritjes së një dakordimi i cili shtetit tonë ia bashkangjet edhe një raport normal e europian me Serbinë, me fqinjin tonë verior”, tha Kurti, duke theksuar se “kjo është një arritje e madhe”.

Dakordimi për çështjen e targave të automjeteve që Serbia i lëshon për banorët serbë të Kosovës, Kurti tha se mund të shihet edhe si koncesion, por sipas tij, “dobia ka qenë shumë e madhe”.

“Janë më pak se 200 automjete në Kosovë me shoferë e pronarë serbë që i kanë tabelat ilegale KM, PR, DJ e të tjera, e të cilat janë regjistruar sivjet. Krejt tjerat janë më të vjetra se sivjet. Atyre krejt ka me ju dalë regjistrimi. S’ka më regjistrim. Është e vërtetë që po bëhet fjalë për një pjesë të vendit tonë, për veriun, por po bëhet po ashtu fjalë për një pjesë të Serbisë për qendrën e regjistrimit të automjeteve në Rashkë. A është koncesion? Po, mund të shihet edhe si koncesion. Por unë besoj që dobia ka qenë shumë e madhe dhe nuk kemi cenuar kurrfarë substance. Për besë nuk kemi cenuar kurrfarë substance të vendit tonë”, ka thënë ai.

Por Kurti beson se pas një kohe, nuk do të ketë targa ilegale.

“Pjesa e targave në marrëveshjen e mbrëmshme nënkupton që Qeveria nuk lëshon dhe regjistron targa të reja. Ajo është e qartë në tekst dhe gradualisht targat e paligjshme do të nxjerren nga përdorimi sipas një mekanizmi të tillë”, ka thënë Kurti.

Ai u shpreh i papenduar që nuk e përfilli kërkesën e SHBA-së që ta shtyjë për 10 muaj zbatimin e vendimit për zëvendësimin e targave. Ashtu, tha se substanca e shtetit “do të cenohej shumë më tepër”.

Marrëveshja u interpretua ndryshe në Beograd. Kryenegociatori serb, Petar Petkoviq tha se “me këtë marrëveshje mbesin targat KM”.

“Ato edhe më tutje do të jenë në përdorim, siç kanë qenë deri më tash. Kjo ndër të tjera do të thotë se absolutisht të gjithë pronarët e automjeteve që posedojnë targa KM do të mund t’i regjistrojnë dhe t’i zgjasin regjistrimet e veturave të tyre me targa KM”, ka deklaruar Petkoviq.

Lista Serbe tha po ashtu se targat KM mbesin në përdorim.

“Duam t’i informojmë qytetarët se të gjithë pronarët e automjeteve me targa KM (Mitrovicë e Kosovës) do të mund të funksionojnë normalisht, dhe kur të skadojë regjistrimi i tyre ekzistues do të mund ta zgjasin vlefshmërinë e regjistrimit si më parë”, thuhet në njoftimin e tyre në Facebook.

Zëdhënësi i Bashkimit Europian nuk pati “asgjë për të shtuar” në deklaratën e përfaqësuesit të lartë, Joseb Borrell, kur Gazeta Express pyeti se çfarë do të ndodhë me targat KM.

Në deklaratën e lëshuar nga Borrell thuhet thjesht se “Serbia do të ndalojë lëshimin e targave me emërtimet e qyteteve të Kosovës dhe se Kosova do të ndërpresë çdo veprim të mëtejshëm lidhur me riregjistrimin e automjeteve”.