Nuk është vetëm partia AfD që po debaton se si të veprojë me Rusinë. Edhe brenda CDU-së, ka një debat rreth kursit drejt Moskës, veçanërisht në lidhje me (ri)importin e mundshëm të produkteve ruse të energjisë.
Një debat është ndezur brenda CDU-së rreth politikës gjermane ndaj Rusisë. Ai u iniciua nga Kryeministri i Saksonisë Michael Kretschmer. Në një intervistë me Funke Media Group kohët e fundit, ai tha: “Ne duhet të shqyrtojmë edhe sanksionet kundër Rusisë nga perspektiva jonë ekonomike.” Prandaj, shtoi ai, duhet të jetë në interes të Gjermanisë “të vazhdojë furnizimet me energji nga Rusia pas armëpushimit”.
Evropa thjesht ka nevojë për energji me çmime të përballueshme, tha Kretschmer. Prandaj, Rusia duhet “të rivendoset si një partner tregtar në planin afatgjatë – pa krijuar një varësi të re”, beson kreu i qeverisë së shtetit lindor gjerman të Saksonisë.
Kjo nuk është hera e parë që Kretschmer ka mbështetur marrëdhënie më të ngushta me Rusinë kur bëhet fjalë për politikën energjetike. Që në vitin 2022, pas pushtimit të plotë rus të Ukrainës, politikani i CDU-së shprehu publikisht një mendim të ngjashëm.
“Marrëzi kundërproduktive”
Kretschmer u kritikua ashpër për këtë nga kolegu i tij i partisë Roderich Kiesewetter. Eksperti i politikës së jashtme të CDU-së theksoi në një deklaratë për gazetën Handelsblatt: “Është absurde të spekulosh sot për furnizimet me energji nga Rusia, kur e njëjta Rusi po bombardon shtëpitë dhe infrastrukturën energjetike të Ukrainës çdo ditë”. Deklarata të tilla janë “kundërproduktive dhe absurde politike të sigurisë”, shtoi anëtari i CDU-së në Bundestag.
Interesi i Gjermanisë duhet të jetë “që Ukraina të fitojë luftën, të kthehet në kufijtë e saj të vitit 1991 dhe të largojë plotësisht Rusinë”, tha Kiesewetter.
Rusia nën Presidentin Vladimir Putin duhet të heqë dorë nga ambiciet e saj imperiale, beson ai: “Kjo nuk do të ndodhë duke përsëritur gabimet e vjetra ose duke përhapur mjegull”. Kiesewetter arriti në përfundimin se “rreziku më i madh” për Evropën është Rusia.
Udhëheqja e CDU-së në nivel federal, si dhe qeveritë e landeve gjatë tre viteve të fundit, kanë hedhur poshtë vazhdimisht kërkesat e Kretschmer, duke argumentuar se është Rusia ajo që duhet t’i japë fund luftës në Ukrainë, ose se nuk ka asnjë tregues se Rusia është gati të bëjë një veprim të tillë.
Para sulmit rus ndaj Ukrainës në vitin 2022, Rusia ishte një nga furnizuesit më të rëndësishëm të energjisë për Gjermaninë. Gjermania më nuk furnizohet me gaz dhe naftë nga Rusia. Në tetor, vendet e BE-së ranë dakord të ndërpresin gradualisht importet e mbetura të gazit natyror nga Rusia deri në fund të vitit 2027. Për shkak të agresionit në Ukrainë, BE-ja miratoi disa paketa sanksionesh të gjera kundër Moskës./DW/