Ministria e Jashtme e Rusisë akuzon qeverinë gjermane se synon të marrë pjesë në sulmet ushtarake të Ukrainës përtej kufijve të Rusisë.
“Pas gjithë kësaj velloje fjalësh qëndron dëshira e maskuar keq e qeverisë Merz për të marrë pjesë edhe në goditje thellë brenda vendit tonë”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, njofton agjencia shtetërore e lajmeve Tass.
Ajo ju referua deklaratave të kancelarit Friedrich Merz lidhur me furnizimin e Ukrainës armë me rreze të gjatë veprimi, raketa të tipit Taurus. Berlini nuk e merr në konsideratë faktin se kjo do të thotë një hyrje të pafalshme të Gjermanisë në konflikt me Rusinë – por një gjë të tillë duhet ta mendojë, tha Zakharova.
Raketa Taurus por jo ushtarë gjermanë
Kancelari Merz kishte deklaruar pas një takimi që kishte në fund të majit me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenski se Gjermania është e gatshme të dërgojë raketa me rreze të gjatë veprimi Taurus në Ukrainë, por në një rast të tillë këto sisteme armësh nuk do të përdoren nga ushtarë gjermanë, por nga ushtarë ukrainas. Këtë kancelari Merz e përsëriti javën e kaluar edhe në një emision televiziv në mediat publike gjermane. /DW