Tensioni brenda Interit vazhdon të rritet pas eliminimit të befasishëm në raundin e 1/16-ave të Kupës së Botës për Klube kundër Fluminense, me rezultatin 0-2.
Në qendër të debatit është kapiteni Lautaro Martínez, i cili pas ndeshjes dërgoi një mesazh të drejtpërdrejtë për shokët e skuadrës:
“Kushdo që nuk dëshiron të qëndrojë te Interi, le të largohet. Pashë gjëra që nuk më pëlqyen”.
Edhe pse Lautaro nuk përmendi emra, presidenti Beppe Marotta e bëri të qartë se fjala ishte për Hakan Çalhanoglu, i cili mungoi për shkak të një dëmtimi dhe ka qenë së fundmi në qendër të thashethemeve për një transferim të mundshëm te Galatasaray.
Në gjithë këtë zhurmë mediatike, bashkëshortja e Çalhanoglu-t, Simen, vendosi të reagojë publikisht me një mesazh të fortë në rrjetet sociale, përcjell tch.
Ajo publikoi në Instagram një histori që duket si një përgjigje e qartë ndaj kritikave: “Disa njerëz nuk janë besnikë ndaj teje, por ndaj nevojës që kanë për ty. Sapo ndryshojnë nevojat e tyre, ndryshon edhe besnikëria e tyre. Mos u pendo që ke një zemër të mirë, Hakan. Gjërat e mira shumohen”.