Morena Taraku, këngëtarja, aktorja dhe modelja e njohur nga Kosova, ka rrëmbyer vëmendjen ndërkombëtare me paraqitjen e saj të jashtëzakonshme në tapetin e kuq të edicionit të 82-të të Festivalit të Filmit në Venecia, një prej ngjarjeve më prestigjioze në industrinë globale të filmit dhe modës.
Në një video të shpërndarë në rrjetet sociale, Morena shihet duke parakaluar si një divë e vërtetë, me një vetëbesim dhe elegancë që nuk kaluan pa u vënë re nga mediat dhe fotografët e pranishëm në event.
Bukuroshja kosovare kishte zgjedhur një fustan të gjatë dhe luksoz ngjyrë ari, i cili theksonte linjat e saj elegante dhe i jepte një pamje mbretërore. Detajet e stilit ishin gjithçka: në qafë mbante një shallë me pupla të bardha, një zinxhir me perla të bardha, ndërsa look-u i saj ishte inspiruar nga stilis antik i perëndeshave egjiptiane, me flokët e stiluar në formë klasike dhe një palë vathë të vegjël ari që përfundonin me finesë gjithë ansamblin.
Grimi, një pjesë kyçe e paraqitjes, ishte realizuar me përpikmëri dhe ndjekte një linjë glamuroze, të përshtatur në mënyrë perfekte me estetikën solemne dhe madhështore të festivalit. Tonalitetet e arta dhe shkëlqimi në lëkurën e saj plotësonin idealisht veshjen dhe frymën e mbrëmjes.
Poshtë videos së ndarë në Instagram, Morena ka shkruar në anglisht:
“The 82nd Venice Film Festival. Unforgettable.” – duke e përkufizuar përjetimin e saj si një moment të paharrueshëm në karrierën shumëdimensionale që po ndërton me kujdes.
Pjesëmarrja e Morenës në një event të këtij kalibri është një tjetër dëshmi se ajo po synon një profil ndërkombëtar, duke u shfaqur jo vetëm si artiste dhe influencuese e rrjeteve sociale, por edhe si një ikonë stili në skenën globale të modës. /GazetaExpress/