Kapiteni i Spanjës, Alvaro Morata i ka hapur letrat përmes një interviste të ngrohtë para ndeshjeve të Ligës së Kombeve.
Në radio-show Kod Herrera në radio stacionin e njohur COPE, ai foli në detaje për depresionin nëpër të cilin po kalon.
Ai zbuloi se problemet mentale kanë nisur t’i shfaqen para disa muajsh dhe e pranon se kishte menduar ta linte futbollin para Euro 2024, ku e udhëhoqi Spanjën drejt titullit të kampionit evropian.
“Është një situatë mjaft e rëndë kjo e imja, kur ke depresion, ke frikë nga sulmet. Kur nisin situata si këto, duket se brenda teje është një person tjetër, me të cilin duhet të luftosh çdo ditë dhe çdo natë. Për mua, presioni në Spanjë ishte i papërballueshëm dhe të largohesha prej atje ishte vendimi më i mirë të cilin e kam marrë”, deklaroi Morata, i cili u largua nga Atletico Madridi gjatë verës për t’iu bashkuar Milanit.
“Ishte e tmerrshme. Mendoja që t’i vendosja këpucët në gozhdë dhe të mos dilja më në fushën e blertë. Por, dola nga kjo situatë falë disa njerëzve: Simeone, Koke, shefi ekzekutiv i Atleticos, Miguel Angel Gil, psikiatri im… J na shihni në TV dhe në rrjetet sociale, por shpesh është një përshtypje joreale ndaj nesh dhe për jetën tonë.”
“Ne duhet ta japim imazhin që dëshiron ta shohë publiku nga ne sepse kjo është puna e jonë. Ishte vërtet e tmerrshme për mua. Unë shpërtheva dhe kishte momente kur nuk po mund t’i lidhja lidhëset e këpucëve të mia. Dhe më pas, kur arrita ta bëja këtë, thjesht vrapoja në shtëpi ndonjëherë sepse më shtrëngohej fyti dhe shikimi më turbullohej.”
“Tre muaj para Euro 2024, unë seriozisht po mendoja të tërhiqesha nga futbolli. Nuk e dija se çfarë po ndodhte me mua, por e dija se ishte një situatë mjaft e ndërlikuar dhe e ndjeshme. Do të mundohem ta shpjegoj kështu: në të njëjtin moment, ti e kupton se gjëja e njëjtë, e cila është futbolli, e do dhe e urren më së shumti në botë.”
Ai e kujton periudhën e vështirë në Spanjë, kur nuk mund të dilte lirshëm me fëmijët pasi njerëzit i afroheshin dhe ia kujtonin një moment jo të mirë, ndonjë rast të humbur apo ndonjë ndeshje që nuk ishte në ditën e tij.
Më pas, ai nervozohej dhe reagonte keq, dhe kjo e bënte të ndihej keq dhe në siklet pasi gjithçka ndodhte në sytë e fëmijëve të tij.