Moralistë të rrejshëm janë hedhur sërish në aksion. Po alarmojnë se arti po e prish familjen. Po shfaqen si përcaktues të “verave familjare e kulturore”. Ata po vendosin çka është degjenerim e çka jo, çka duhet lejuar e çka ndaluar. Me qasjen e tyre po nxisin urrejtje e mosdurim.
Imer Mushkolaj
Dy ngjarje kulturore, festivale të njohura filmi, kanë shkaktuar reagime në mesin e konservatorëve dhe “kujdestarëve të moralit” në Kosovë. Së pari Anibar, e më pas DokuFest provokuan fushatë sulmesh, nxitje të urrejtjes e mosdurimit në rrjetet sociale.
Anibari, festival që organizohet në Pejë, u sulmua për shkak se disa filma në program kishin në fokus komunitetin LGBTQ+, në kuadër të një kategorie të veçantë të quajtur QueerToons. Po ashtu, organizatorët e festivalit, në muralin që e ngjyrosin çdo vit sivjet vendosën ngjyrat e ylberit. Kjo shkaktoi revoltë.
Në Prizren, ndërkaq, në kuadër të programit argëtues të DokuFestit, u shfaq një performacë e “Peaches”. Ndonëse ishte e dedikuar vetëm për ata që ishin të interesuar ta shohin atë, rrjetet sociale u mbushën me fyerje e sharje për artistët që paskan performuar gjysmëlakuriq dhe për organizatorët e festivalit. Në të dy rastet u tha se performancat e tilla “po na shkatërrojnë familjen”.
Një deputet, Eman Rrahmani, shkroi se është e tmerrshme dhe e papranueshme se si DokuFest, Anibar, Parada e Krenarisë dhe qindra aktivitete të mbështeten nga pushteti qendror dhe lokal me miliona euro nga paraja publike, për të promovuar antivlera dhe degjenerim të shoqërisë tonë. Sipas tij, tashmë është qartë e kuptueshme se të gjitha këto organizime kanë vetëm një qëllim – shkatërrimin e familjes, si shtylla kryesore e shoqërisë dhe identitetit tonë. Pra, deputeti i shumicës parlamentare e jep verdiktin: qëllimi qenka i qartë – të shkatërrohet familja shqiptare. Pikë! Madje, ai premton që asnjëherë nuk do të lejojnë “që këto degjenerime të ndryshojnë vlerat e larta që vendi ynë frymëzon me shekuj e shekuj”. Kush nuk do të lejojë? Në emër të kujt flet ky deputet? Për cilat vlera të larta shekullore flet? Çka konsiderohet degjenerim?
Pas peformancës në DokuFest, edhe deputetja Duda Balje bëri një thirrje me ton kërcënues: “Mos e prekni frymën e Prizrenit tradicional dhe kulturor”, shkroi ajo. Të dy këta deputetë dhe disa të tjerë që mendojnë si ata kanë votuar kundër projektkodit civil, duke e keqinterpretuar me qëllim për publikun nenin që flet për bashkësinë e personave të gjinisë së njëjtë. Por, njëkohësisht, janë të njëjtët deputetë që kërkojnë ndryshimin e udhëzimit administrativ që ndalon bartjen e shamisë në shkolla. Pra, deputetët e zgjdhur nga qytetarët tregohen selektues ndaj kategorive të caktuara të shoqërisë dhe nuk e kanë dert pse me qasjen e tyre nxisin urrejtje e mosdurim. Të tillët nuk janë gjë tjetër veçse moralistë të rrejshëm që mendjen e kanë te votat dhe përfitimet dhe jo që e kanë fort dert ruajtjen e vlerave në shoqëri. Tekefundit, çka konsiderohet vlerë familjare dhe kush i përcakton e i rregullon ato? Eman Rrahmani, Duda Balje, hoxha, prifti apo kushtetuta e një vendi?
* * *
Nuk është hera e parë që politikanë, të cilët haptazi promovojnë ide për një rregullim shtetëror e shoqëror tjetërfare, promovues të islamit politik sulmojnë aktivitete e linçojnë individë të cilët, sipas tyre, nuk qenkan në rrugë të drejtë. Në këtë mënyrë ata, një grup klerikësh fetarë dhe mbështetës të tyre përpiqen të krijojnë një frymë që është kundër të gjithë atyre që “nuk janë në rrugë të zotit”.
Për këtë të premte në Prizren, thirrje për të marrë pjesë në një protestë kundër DokuFestit ka bërë edhe kryetari i Bashkësisë Islame të komunës. “Jo me paratë tona, jo mbështetje financiare shtetërore”, qenka motoja e protestës. Fort komike, po të mos ishte tragjike.
Është e kuptueshme që në secilën shoqëri, edhe në këtë tonën, ka ide të ndryshme dhe mospajtime për çështje të caktuara. Por, është e papranueshme që ato të keqinterpretohen me qëllim.
Një ndër qëllimet e ngjarjeve kulturore është edhe të provokojnë me përmbajtjen e tyre. Por kjo nuk duhet t’i jep të drejtë askujt që të sulmojë dhe të nxisë urrejtje. Shoqërisë nuk i bën dëm arti, por moralizimi i rrejshëm. Kjo shoqëri s’ka nevojë për “polici të moralit”.