Moralisht e politikisht të diskredituar - Gazeta Express
string(39) "moralisht-e-politikisht-te-diskredituar"

Moralisht e politikisht të diskredituar

OP/ED

Gazeta Express

06/08/2021 16:56

Punësimet partiake të pushtetit aktual duhet denoncuar e kundërshtuar, por partitë që tash janë në opozitë nuk kanë pikë kredibiliteti ta bëjnë një gjë të tillë. Ato kanë vepruar zi e më zi sa kanë qenë në pushtet. Janë të diskredituar moralisht e politikisht.

Imer Mushkolaj

Lexo Edhe:

Një listë me emra të zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, familjarëve e miqve të tyre po e lexonte kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosoëvs (AAK), Ramush Haradinaj, në emisionin “Debat Plus”. Emra njerëzish që janë punësuar ose emëruar politikisht në institucionet e Kosovës pas ardhjes së Vetëvendosjes në pushtet. Ish-kryeministri po hidhte akuza të shumta kundër Vetëvendosjes.

Në dukje të parë gjithçka është në rregull, pra, një kryetar i një partie të vogël opozitare që po denonconte punësime dhe emërime politike të partisë në pushtet. Por, ato akuza po hidheshin nga njeriu i cili, bashkë me zyrtarë të partisë së tij, nuk kanë lënë pa bërë gjë sa iu përket punësimeve partiake sa ka qenë në pushtet. Pra, rivalët politikë po i akuzonte dikush që s’ka pikë kredibiliteti për ta bërë një gjë të tillë, sepse koha e tij e qeverisjes mbahet mend për plot situata të ngjashme.

Të gjithëve iu kujtohen skandalet gjatë qeverisjes së tij, siç iu kujtohen edhe skandalet gjatë qeverisjeve paraprake. A ka skandal më të madh se ai i 52 milionëshit të autostradës? Pastaj ai i faljes së borxheve prodhuesve të ujit e kështu me radhë. A ka skandal më të madh se harxhimi i rezervave shtetërore? Ndërkohë që përgjigjja arrogante ishte “m’u ka tekë”.

Korrupsioni e nepotizmi kanë lulëzuar në të gjitha pushtetet deri tash. Mjafton të shihet administrata dhe kompanitë publike, për të parë përmasat e hatashme të keqpërdorimit të pushtetit, përmasat e kapjes së shtetit. Pikërisht për mënyrën e qeverisjes, partitë që tash janë në opozitë janë ndëshkuar në zgjedhjet e 14 shkurtit. Andaj, tingëllojnë absurde, të pabesueshme akuzat e opozitës tash. Jo se nuk janë të sakta, por për faktin se këta që akuzojnë e kritikojnë sot, kanë vepuar njësoj, më keq, shumë më keq dje, pardje.

Nuk ka institucion, agjenci të pavarur, ambasadë e konsullatë që nuk është e mbushur me militantë partiakë, kushërinj, farë e fis. Qindra tenderë që iu janë dhënë të vetëve, miliona që janë përfituar nga të vetët, për të vetët.

Andaj tingëllojnë të pabesushme kritika e akuza ish-ministrash të diskredituar, ish-kryetarësh të partive e zyrtarëve të tjerë që në të kaluarën kanë shfrytëzuar më të madhe të qenit në pushtet. Kritika e akuza të atyre që institucionet e kompanitë publike i konsideronin si prona private, me të cilat mund të bëjnë çfarë të duan.

* * *

Çdo veprim jo i drejtë i pushtetit të Vetëvendosjes duhet denoncuar e kundërshtuar. Por, një gjë të tillë duhet ta bëjnë ata që kanë të drejtë morale, ata që nuk kanë bërë njësoj, madje edhe më keq, gjatë kohës sa kanë qenë në qeverisje.

A po bën Vetëvendosje veprime të ngjashme me partitë parardhëse në pushtet? Po. A po fut në borde zyrtarë partiakë e familjarë të tyre? Po. Dhe këto veprime po denoncohen çdo ditë nga gazetarë, opinionistë e organizata të shoqërisë civile, siç është denoncuar e kritikuar në të kaluarën keqqeverisja e partive që tash janë në opozitë.

Të pretendosh të kritikosh e akuzosh rivalë politikë do të duhej që së pari të kesh kredibilitetin e nevojshëm, moral e politik. Do të duhej të kesh qeverisur mirë, të kesh qenë shembull i mirë i menaxhimit të institucioneve, të mos kesh punësuar gjithandej familjarë, kushërinj, farë e fis.

Natyrisht, opozita ka të drejtë dhe duhet të kritikojë çdo veprim të pushtetit që konsideron se është i gabuar. Por, përtej vullnetit për të kritikuar e akuzuar do të duhej ekzistuar një pikë kredibiliteti për ta bërë një gjë të tillë.

Në zgjedhjet e fundit qytetarët kanë votuar që me çdo kusht t’i heqin nga pushteti ata që kanë qenë sinonim i keqqeverisjes, korrupsionit e nepotizmit. Ata që tash po vazhdojnë, pa pikë reflektimi as keqardhje, të sillen thua se nuk ka ndodhur asgjë.

Ndërkohë, pushteti aktual, respektivisht Lëvizja Vetëvendosje po vazhdon t’i shkel parimet dhe standardet e proklamuara gjatë kohës sa ka qenë në opozitë. Tash emërimet partiake, sipas Vetëvendosjes, janë në rregull, ndërkohë që dikur ishin të njëjta sikurse punësimet partiake. Tash, sipas Vetëvendosjes, janë në rregull edhe emërimet e partiakëve nëpër borde sepse “janë profesionistë”, ndërkohë që në të kaluarën mjaftonte që ata të kishin lidhje me parti politike dhe, apriori, ishin joprofesionistë.

Arroganca e numrave ka bërë që Vetëvendosje të marrë plot vendime çfarë e si ka dashur, veprime që janë kritikuar nga mediat e shoqëria civile. Opozita duhet të vazhdojë kritikat, por së pari duhet të marrë përgjegjësi politike për të kaluarën. Vështirë t’iu besojë dikush kur janë moralisht e politikisht të diskredituar.