Monumenti dhe mnemocidi konsumopatëve - Gazeta Express
string(37) "monumenti-dhe-mnemocidi-konsumopateve"

Monumenti dhe mnemocidi konsumopatëve

Gazeta Express

17/05/2020 12:07

Para se njeriu të nis me formimin e kujtesës, e cila do t’i shërbejnë si bazë identiteti, ai mobilizon elementet jashtë tij. Ato që ndikuan në eksternalizimin e tij. Prandaj thuhet se çdo kujtesë e çdo identitet [si aparat, mnemoteknikë] nis me Tjerët. Prandaj çdo përpjekje që të vrasësh kujtesën e Tjerëve është tendencë për t’i fshirë biografinë vetes. Rama vërtet rilindi – tashetutje edhe si një që deshi të djeg kujtesën para tij. Në vend të saj ai ofron boshësinë e dekoruar me shifra të qelqta dhe statuja të mermerta ku shkruan: edhe në shekullin 21 pati një Scipio që shembte teatro. Vepra e Ramës është afekti i rradhës i keqkuptimit estetik dhe politik të postmodernës.

Xhemal AHMETI

Lexo Edhe:

Në çastin kur miku im Gëzim Ramizi hapi diskursin interpersonal mbi aferën «Teatri i Tiranës», atypëraty mu shfaq në parafytyrim kjo skenë: Augustini i Hipos bashkë me Maximus Scipio Nasica Serapion kërcenin Lambadën përqark shtëpisë sonë të vjetër në shembje e sipër. As që e dija se mbaj mend çastet e shembjes së shtëpisë ku kisha lindur. Edhe më magjepsëse mu duk shfaqja e dy vallëzuesve bashkë, të cilët i ndajnë dy-tri shekuj kohë dhe që dallojnë nga njëri tjetri aq shumë. Vetëm një gjë i bashkon të dytë: Teatri! Apeli për t’i shembur ato ngase shkaktonin «vdekjen e frymës» (Augustini) ose bërjen-rrafsh të tyre ngase demaskonin politikat e tiranit (Publius Cornelius Scipio Nasica).

Veç pas kësaj sorollatjeje mentale historisë mbi 20-shekullore ia dola të thirr para syve Edi Ramën dhe protestuesit, artistët, politikanët dhe makinerinë tjetër duke ngrënë tullat e një monumenti 80 vjeçar.

II.

Descendenca biologjike është baza mbi të cilin nis udhën drejt dimensioneve të jetës çdo identitet: kush më bëri; nga dola; pse jam këtu dhe kështu? Njeriu nuk sakralizon të dhënat mbi origjinën e tij vetëm sa për t’ia dhënë një alibi këtuqenies së tij, por edhe për ta pranuar veten si diçka që jo-rastësisht gjendet në teatrin global. Prandaj, shumëkush që prish shtëpinë e prindërve për ta ndërtuar një pallat më modern mbi të, shembjen e tullave dhe pluhurin i përjeton si ceremoni të varrimit të fëmijërisë së tij. Kujtesa ia përlot sytë (ose e kënaq) duke i sjellë parasysh edhe ato episode që ai besonte t’i kishte varrosur diku skutave inaktive të trurit dhe shpirtit të tij.

Në fakt fëmijëria e tij nuk gjendet nën ato gërmadha, pluhurit i së cilës është brumi i kujtesës së nesërme, por diku tjetër, aty tek ai mediumi që grekët e quanin Mneme (Μνήμη = kujtesë) e i cili kujdeset për ta përcjell rrëfimin ashtu siç i transmetoi historia rrëfimet tjera nga gjenerata e stërlashtë e humanitetit, nga goja në gojë, nga fryma në shkronjë e deri në vetëdijen tonë sot.

III.

Plotë artistë dhe njerëz të shoqërisë civile i thonin, e lusnin Edi Ramën që mos e prish Teatrin Kombëtar. Përjashto instrumentalizuesit politik, tjerët kërkonin që Pallati mos të prishet por të restaurohet dhe të mbetet qoftë si monument kujtese historike dhe shtëpi ku lindën e formuan gjithë ata artistë përgjatë gati një shekulli. Jo tha piktori dhe politikani Rama; «nuk më interesojnë ndjenjat e kolektivit tuaj, dua kryeqytet postmodern dhe pallat që i shkon modës dhe ekonomisë». Tash ka mbetur «që ta vras edhe autorin» (Roland Barthes) e të heq qafe edhe pengesën e fundit. Edi Rama vuri ekonominë e hapësirës, ideologjinë e tij “estetike” mbi kujtesën, frymën dhe vektorët tjerë identitarë të një gjeneratë artistësh, respektivisht ai ua groposi gjitha këto me eskavatorë. Në fakt ua varrosi vendin simbolik ku drejtonin gishtin kur i pyesnin ku u bëtë kështu, se kujtesën frymën nuk e vret dot. Përkundrazi ai e pasuroi atë, memorien kolektive, edhe me një rresht të ri. Tash me siguri, kur ta përmend Gëzim Ramizi teatrin nuk do më bie ndërmend vetëm Antonin Artaud, Barthes apo tjerë, por në kujtesën time tangon rreth shtëpisë sime në shembje e sipër do ta bëjnë jo vetëm ata dy; Augustini dhe Scipio, por edhe Edi Rama. Per ta kuptuar politikani edhe më thellë reagimin e këtij lloji do ta bënte mirë të lexoje studimet e Aleida e Jan Assmannit, të cilët një jetë shkencore ia kanë kushtuar kujtesës, varreve, monumenteve, amnezisë dhe identitetit.

Gjersa socialdemokratët do t’i shkruajnë elozh për Ramën si burrështetas, ata të artit do ta përshkruajnë si piktor kështu a ashtu, kulturologët do ta priorizojnë këtë element të historisë së tij: si vrasës teatrosh dhe përdhunues i kujtesës së Tjerëve.

Ilustrimi:

Gërmadhat e amfiteatrit romak, të shkatrruar në Tadmur tek Palmyra Agjencia siriane SANA, më 20.01. 2017). Fotografia huazuar nga Keystone.