string(87) "molliqaj-refuzimi-i-kurtit-eshte-i-drejte-por-propozimi-i-ldk-se-eshte-rruge-e-pamundur"

Lajme

Gazeta Express

06/05/2025 18:28

Molliqaj: Refuzimi i Kurtit është i drejtë, por propozimi i LDK-së është rrugë e pamundur

Lajme

Gazeta Express

06/05/2025 18:28

Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, pas refuzimit që i ka bërë Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ftesës së Kryeministrit Albin Kurti për bashkëpunim institucional.

Përmes një statusi në Facebook, Molliqaj e ka vlerësuar si të drejtë dhe të argumentuar refuzimin e LDK-së ndaj Kurtit, duke theksuar se rëndësi të veçantë kanë arsyet që e shoqërojnë këtë vendim, e jo thjesht mohimi politik.

“Refuzimi është përgjigja e duhur ndaj Kurtit. Kështu paska bërë sot Kryetari i LDK-së, z. Abdixhiku… ka nisur mbarë duke përmendur sulmet ndaj demokracisë, lirisë së shprehjes, kapjen e institucioneve dhe rrezikimin e sigurisë nacionale,” ka shkruar Molliqaj.

Megjithatë, Molliqaj shpreh rezerva të forta ndaj propozimit të LDK-së për një Qeveri Nacionale të Tranzicionit, duke e cilësuar këtë rrugë si të “pamundur” dhe kontradiktore në vetvete. Ai thekson se është jologjike të pritet që dikush që, sipas tij, ka cënuar demokracinë dhe institucionet e pavarura, të pranojë dorëzimin e pushtetit përmes konsultimeve.

“Cili autokrat e ka dorëzuar pushtetin në tavolinë? Asnjë deri sot,” shkruan ai, duke shtuar se kjo qasje e LDK-së nuk reflekton vullnet për marrje përgjegjësie të mirëfilltë politike.

Në përfundim, Molliqaj nënvizon se rruga për ndërrimin e qeverisë është vetëm përmes krijimit të një shumice parlamentare nga opozita aktuale, e jo përmes pajtimeve formale që, sipas tij, nuk do të kenë efekt real.