Molliqaj: Privatizuesi i KEDS sikur me ble minimarket që e mbyllë kur t'don, e nuk i jep llogari kujt - Gazeta Express

Molliqaj: Privatizuesi i KEDS sikur me ble minimarket që e mbyllë kur t’don, e nuk i jep llogari kujt

Gazeta Express

21/11/2020 20:42

Pas reduktimeve të shumta me rrymë, ka reaguar kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj.

Molliqaj ka kritikuar për mënyrën e menaxhimit të KEDS’sit nga privatizuesit e rinj, teksa ka ritheksuar se kompania energjetike është “shitur lirë”, shkruan Gazeta Express.

“Sot gjatë tërë ditës, i ftohti dimëror lagje e fshatra të tëra i ka gjetur pa rrymë për 12 orë. A nuk na patën thënë që privatizimi i jep fund reduktimeve?! Reduktimet janë të vazhdueshme, por asnjë ndëshkim nga shteti. KEDS u shit lirë, shumë lirë. Rreth 26.3 milionë duhet të jetë vlera përfundimtare. Solli ngritje të çmimit të energjisë, dhe nuk përmirësoi shërbimet. Privatizuesi i KEDS po sillet sikur me ble minimarket që e mbyllë kur t’don, e nuk i jep llogari kujt. Institucionet pa sy e vesh”, ka thënë ai.

Ai ka nxjerrë tutje të palarat e menaxhuesve të KEDS’it, teksa ka cituar edhe filozofin e famshëm Zizek.

“Për më tepër, kjo kompani po na del me qenë goxha e veçantë. I njëjti është koncesionar në aeroport. Asnjë biznesi nuk iu kane bërë favore sikur këtij në emër të pandemisë. Limak nuk ka paguar taksë koncesioni prej fillimvitit 2019. Një ditë para se të niste punë qeveria tjetër, Besnik Bislimi, në emër të pandemisë i mundësoi shtyrje në vlerë prej 10 milionësh, bashkë me tërheqjen e 5 milionëve kesh që ishin depozitë në BQK si garanci për kontratën. Shtyerja përfshin periudha kur s’kishte fare pandemi. Çfarë do t’i thoshte Žižek kësaj?! Kapitalizëm grabitqar, me fytyrë cikllopi!”.

Ai tutje e ka cilësuar ndërmarrjen nën menaxhim të KEDS’it si firmat më fitimprurëse në Kosovë.

“Kompania “Limak”, falë privatizimit të distribucionit të energjisë dhe koncesionimit të aeroportit është prej kompanive më fitimpturëse në vend. Sikur të mos mjaftonte kjo, ajo është edhe kompani fort e privilegjuar prej shtetit. “Limak” dhe të njëjtët si ky janë e përbashkëta e qeverive që kohëve të fundit po ndërrohen shpesh”. /Gazeta Express/