Mohammad Baqer Qalibaf - njeriu me të cilin SHBA-ja mund të jetë duke komunikuar në Iran - Gazeta Express
string(86) "mohammad-baqer-qalibaf-njeriu-me-te-cilin-shba-ja-mund-te-jete-duke-komunikuar-ne-iran"

Lajme

Gazeta Express

26/03/2026 12:26

Mohammad Baqer Qalibaf – njeriu me të cilin SHBA-ja mund të jetë duke komunikuar në Iran

Lajme

Gazeta Express

26/03/2026 12:26

Raportimet e kësaj jave sugjerojnë se administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, po e shqyrton në heshtje kryetarin konservator të Parlamentit iranian, Mohammad Baqer Qalibaf, si partner të mundshëm për negociata – e ndoshta edhe si lider të ardhshëm të Iranit.

Uashingtoni ishte në kërkim të një kanali komunikimi për bisedime që prej vdekjes së udhëheqësit suprem, Ali Khamenei, në ditën e parë të sulmeve ajrore amerikane-izraelite kundër Iranit.

Djali i Khameneit është përmendur si pasardhës, por ai nuk është parë në publik që nga dita e vdekjes së të atit dhe raportohet se ka mbetur gjithashtu i plagosur në sulm.

Në këtë kontekst qarkullojnë edhe spekulime për Qalibafin si figurë që disa në Shtëpinë e Bardhë e shohin si partner të pranueshëm për negociata.

Vetë Qalibafi, 64 vjeç, i ka mohuar kategorikisht këto pretendime, duke shkruar në platformën X se “nuk ka pasur asnjë negociatë me SHBA-në”, ndërsa raportimet i ka cilësuar si “lajme të rreme”, të dizajnuara për të manipuluar tregjet financiare dhe ato të naftës.

Pavarësisht nëse ekzistojnë ose jo kontakte të fshehta, shfaqja e tij si figura më e dukshme e nivelit të lartë në një sistem që po përjeton shpërbërje strukturore në vendimmarrje, e ka bërë – për herë të parë gjatë një karriere të mbushur me mundësi të humbura – njeri me peshë reale në skenën politike.

Qalibaf është një politikan konservator dhe ish-komandant ushtarak, i cili për dekada të tëra ka ndërtuar lidhje të forta me udhëheqjen më të lartë të Iranit dhe me Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC).

Megjithatë, pas një karriere të shoqëruar nga skandale korrupsioni dhe kandidime të pasuksesshme për presidencën, ai e gjen veten – në mënyrë paradoksale – si figura ndoshta më e fuqishme që ka mbetur në Republikën Islamike.

I lindur në vitin 1961, Qalibaf iu bashkua IRGC-së në moshën 18-vjeçare dhe u ngjit në hierarki gjatë luftës Iran-Irak të viteve 1980-1988, duke u bërë komandant njësie.

Më vonë, ai shërbeu si komandant i Forcave Ajrore të IRGC-së – para se ato të riemërtoheshin si Forca Hapësinore-Ajrore – një post që iu besua drejtpërdrejt nga udhëheqësi i atëhershëm suprem, Ali Khamenei, dhe një shprehje besimi që do ta përcaktonte trajektoren e tij politike për tri dekadat në vijim.

Brutalitet dhe korrupsion

Në vitin 1999, Mohammad Baqer Qalibaf ishte ndër komandantët e IRCG-së që nënshkruan një letër paralajmëruese drejtuar presidentit reformist, Mohammad Khatami, duke theksuar se protestat studentore të asaj kohe po kërcënonin sigurinë kombëtare dhe se mund të nxisnin ndërhyrjen e njëanshme të IRGC-së.

Në vitin 2000, Ali Khamenei e emëroi 39-vjeçarin në krye të policisë kombëtare të Iranit.

Mandati i tij si shef policie u karakterizua nga brutaliteti: një regjistrim i rrjedhur më vonë e nxori atë duke u mburrur se kishte urdhëruar përdorimin e armëve të zjarrit kundër studentëve gjatë protestave të vitit 2003, si dhe duke pranuar se kishte rrahur personalisht studentë gjatë protestave në vitin 1999.

Në vitin 2005, Qalibaf u largua nga policia dhe hyri në politikë, duke u renditur i katërti në garën presidenciale të atij viti.

Megjithatë, zgjedhja e populistit Mahmud Ahmadinejad hapi rrugën për postin e kryetarit të bashkisë së Teheranit, të cilin Qalibaf arriti ta siguronte.

Ai qëndroi në këtë post deri në vitin 2017, duke shënuar mandatin më të gjatë në historinë e Teheranit.

Gjatë udhëheqjes së tij u zgjerua rrjeti i metrosë së qytetit dhe u ndërtuan godina të mëdha shumëkatëshe, por, njëkohësisht, kishte edhe akuza për korrupsion.

Mbështetësit e Qalibafit në garën e tij për president. Maj, 2017.
Mbështetësit e Qalibafit në garën e tij për president. Maj, 2017.

Një hulumtim i vitit 2022 nga Radio Farda e REL-it zbuloi se ai kishte tentuar të mbulonte zhdukjen e miliona dollarëve nga një fondacion i lidhur me IRCG-në.

Qalibaf e forcoi reputacionin e tij si figurë e linjës së ashpër në fillim të këtij viti, kur forcat e sigurisë ndërmorën veprime vdekjeprurëse kundër protestuesve.

Mijëra iranianë humbën jetën në trazirat e shkaktuara nga kushtet e vështira të jetesës.

Në një seancë parlamentare gjatë krizës, ai lavdëroi policinë dhe IRGC-në, veçanërisht forcat paraushtarake Basij, për qëndrimin “e palëkundur” në “luftën kundër terroristëve”.

Analisti politik, Hossein Razzaq, thotë se lidhjet e tij me sistemin nuk janë dobësi, por përparësi, sepse figura të tilla shpesh mbështeten nga regjimi pasi interesat e tyre janë të lidhura me mbijetesën e tij.

Qalibaf kandidoi për president në vitin 2013 dhe doli i dyti. Në vitin 2017 u tërhoq nga gara për të mbështetur Ebrahim Raisin.

Sipas Razzaqut, këto kandidime nuk ishin përpjekje reale për pushtet, por mënyrë për të treguar besnikëri ndaj udhëheqjes.

E njëjta gjë ndodhi edhe në zgjedhjet e vitit 2024, kur ai kandidoi sërish, por humbi ndaj Masud Pezeshkianit.

Në vitin 2020, ai hyri në Parlament dhe doli i pari në Teheran – në zgjedhjet ku shumë kandidatë reformistë u përjashtuan. Më pas u zgjodh kryetar i Parlamentit.

Nën drejtimin e tij, Parlamenti miratoi ligje për përshpejtimin e programit bërthamor të Iranit.

Afër zyrës së udhëheqësit suprem

Një element kyç në karrierën e Mohammad Baqer Qalibafit ishte afërsia e tij me Mojtaba Khamenein, djalin e Ali Khameneit.

Kjo marrëdhënie u shfaq qartë që në vitet 1980 dhe, me kalimin e kohës, u bë gjithnjë e më e rëndësishme.

Në zgjedhjet e njëpasnjëshme presidenciale, mbështetja e rrethit të ngushtë të Mojtabas dhe e disa njësive të IRGC-së të lidhura me të, shfaqej vazhdimisht rreth kandidaturave të Qalibafit.

Kjo lidhje mori një rëndësi të re pas zhvillimeve të fundit, veçanërisht pas vdekjes së Ali Khameneit më 28 shkurt, duke e vënë Qalibafin në një pozicion me ndikim potencial në krizën e udhëheqjes iraniane.

Kryebashkiaku i atëhershëm i Teheranit, Mohammad Baqer Qalibaf, duke folur me liderin suprem, Ali Khamenei. Mars, 2016.
Kryebashkiaku i atëhershëm i Teheranit, Mohammad Baqer Qalibaf, duke folur me liderin suprem, Ali Khamenei. Mars, 2016.

Vdekja e udhëheqësve të lartë të Iranit – përfshirë komandantin e përgjithshëm të IRGC-së, ministrin e Mbrojtjes, shefin e stafit të Forcave të Armatosura dhe shumë figura të tjera të rëndësishme – krijoi një krizë të thellë të autoritetit politik.

Mojtaba Khamenei u emërua udhëheqës i ri suprem, por ai nuk është parë kurrë publikisht.

Nuk ka imazhe, regjistrime zëri dhe vetëm disa deklarata të shkruara i atribuohen atij – gjë që ka krijuar pasiguri edhe për gjendjen e tij fizike.

Në këtë boshllëk, Mohammad Baqer Qalibaf ka dalë në pah si figura më e dukshme, që lidh pushtetin politik, të sigurisë dhe atë klerik.

Sipas analistit Hossein Razzaq, Qalibaf ka qenë gjithmonë “pjesë e aprovuar e shtëpisë së udhëheqësit suprem”, dhe tani, pas eliminimit të figurave kyç, “roli që ai luan për sistemin, është bërë shumë më i rëndësishëm”. /REL

Advertisement
Advertisement
Advertisement