Blerim Vakaj
Nëse demokracia do të ishte një ndërtesë, sistemi zgjedhor do të ishte themeli. Ndërsa po reflektoja sipërfaqësisht mbi modelet zgjedhore nëpër Evropë, e kuptova që është shumë e vështirë të vendosja se cili model i afrohet ideales për themelet e demokracisë e në veçanti për themelet tona shqiptare. Sipas mendimit tim, zgjedhjet duhet të realizojnë katër shtylla kryesore:
1. Drejtësinë
2. Demokracinë
3. Unitetin Kombëtar
4. Përfaqësimin
Modeli i këtij vendi nordik si kryevepër e inxhinierisë politike
Mendoj se sistemi danez është pa dyshim një kryevepër e vendosur në kontekstin kohor dhe antropologjik të vendit. Danimarka është një monarki kushtetuese, ku monarkia ka një rol kryesisht ceremonial dhe unifikues për popullin, ndërsa qeverisja ushtrohet nga parlamenti. Në këtë vend nordik, zgjedhjet për Folketing (Parlamentin) dhe funksionimi i tij nuk shihen thjesht si një garë pushteti, por si një “akt i shenjtë” i përfaqësimit. Një provë e kësaj “shenjtërie” është Parlamentarizmi Negativ: Në Danimarkë mund të qeverisë një qeveri që ka vetëm 25%, 30% apo 40% të votave, për sa kohë nuk ka një shumicë absolute që voton kundër saj në çdo votim thelbësor. Ky sistem nuk kërkon mbështetje të detyruar, por tolerancë funksionale.
DUALITETI MES LOKALES DHE KOMBËTARES
Sistemi danez, me 179 vendet e tij, mbështetet mbi një dualitet magjepsës prej 110 vitesh:
Përfaqësimi lokal: Vendi ndahet në 10 rajone dhe 92 rrethe nominimi. Kandidatët janë fqinjë dhe pjesëtarë të zonës. Përmes votës personale, votuesi nuk është i burgosur i një liste të mbyllur partie, por zgjedh individin që i jep zë rrethit dhe rajonit të tij.
Drejtësia kombëtare: Ky sistem është një rojtar i rreptë kundër deformimit. Ai parandalon rastet ku një “superkandidat” apo një bastion i fortë krijon një “shumicë artificiale”, duke lënë miliona vota të tjera pa peshë.
Mandatet kompensuese: Aty ku matematika i shërben moralit
Janë 40 mandate kompensuese në total. Nëse 135 mandatet e para janë zëri i rajoneve, këto 40 janë vullneti i pastër i kombit. Ky mekanizëm siguron që asnjë votë të mos humbasë. Nëse një parti meriton më shumë vende kombëtarisht sesa fitoi në zona, sistemi ia jep ato përmes këtyre listave. Sistemi zgjedhor me mekanizma balancues që lidhin përfaqësimin parlamentar me mbështetjen reale në nivel kombëtar, duke kufizuar ndikimin disproporcional të bastioneve lokale. Në këtë mënyrë, ai pengon që interesa të ngushta, ose njerëz me ndikime të dyshimta ose financiare të përqendruara në zona të veçanta të përkthehen në pushtet politik. Kjo pengesë e shton legjitimitetin, drejtësinë dhe përfaqësueshmërinë e parlamentit. Balanca rregullohet derisa pasqyra politike të jetë identike me vullnetin e popullit, duke ftuar në përgjegjësi kombëtare e unitarizëm.
PRAGU I ULËT PËRBALLË NJË PROPOZIMI PËR NJË “PRAG IDENTITAR”
Sistemi danez ka një prag prej vetëm 2%, që fton diversitetin dhe parandalon radikalizmin. Megjithatë, duke parë traditën vendëse, brishtësinë e demokracisë, karakterin e vendit, historikun dhe eksperiencat tona, unë do të propozoja një prag të lartë, ndoshta edhe 10%. Ky prag do t’u thoshte lamtumirë partive të kulisave apo interesave okulte rajonale. Dhe do t’i jepte fund deficitit demokratik. Dikush do të pyeste: Si do të shkojë halli i atyre votave që janë nën 10%? Ato nuk do të humbnin, por do të trajtoheshin përmes një koalicioni të shpejtë paszgjedhor:
1. Partitë e vogla mund t’ bashkojnë votat për të kaluar pragun.
2. Përfaqësimin mund ta bëjnë në raport të drejtë me votat dhe me kompromisin.
3. Partitë shumë të vogla mund të përfaqësohen me një deputet përmes rotacionit kohor (për aq ditë, javë apo muaj sa i takojnë sipas përqindjes së votave brenda mandatit4-vjeçar).
Çfarë sjell ky lloj sistemi? Deputeti për qytetarin, partia për kombin
Ky lloj proporcionalizmi nxit përgjegjësinë e secilit individ ose parti që kërkon të përfaqësojë një grup ose popullsi të caktuar, ruan përfaqësimin pothuajse mazhoritar për qytetarin, por proporcional identitar për kombin. Ai i detyron partitë të kenë interes për çdo pëllëmbë shqiptarie, duke trajtuar me të njëjtën rëndësi si Tropojën, ashtu edhe Sarandën. Asnjë bastion rajonal, si Fieri apo të tjerë, nuk mund të dominojë më vullnetin kombëtar. Dhe të gjitha partitë do nxiteshin të zhvillonin doktrinë e vizion e jo të prisnin oportunizëm dhe me një apo dy mandate të i imponoheshin dhe t’i rrëmbenin 20-30-40% të pushtetit një qeverie me 68-69 mandate. Siç ka ndodhur më herët. Kjo formë me prag të lartë detyron partitë të bëjnë katarsis dhe kompromise të brendshme sipas një qëllimi, vizioni dhe doktrine para se të hallakasin njerëzit. Duke forcuar alternativat.
Sllovakia: Një qark i vetëm zgjedhor (Uniteti kombëtar ekstrem)
Sistemi: I gjithë shteti konsiderohet një qark i vetëm zgjedhor. Nuk ka ndarje në rajone apo zona.
Pragu: 5% për partitë dhe 7% për koalicionet.
Efekti: I gjithë përfaqësimi prodhohet vetëm në nivel kombëtar, duke i detyruar partitë të injorojnë pothuajse plotësisht interesat lokale.
Në letër duket si sistemi më proporcional i mundshëm, por në praktikë është edhe një nga më të kritikuarit. Duke mos pasur asnjë lidhje territoriale, humbet figura e “përfaqësuesit fqinj”. Deputetët u detyrohen kryesisht listave të partive dhe jo qytetarëve të një zone konkrete, ndërsa parlamenti shpesh dominohet nga elitat e kryeqytetit (Bratislava). Proporcionaliteti matematik fitohet, por përfaqësimi real lokal sakrifikohet.
Sllovenia (Proporcional me mandate mbetëse)
Ajo përdor një model që i ngjan shumë Danimarkës për nga logjika e korrigjimit.
Sistemi: 90 vende në total. Vendi ndahet në 8 njësi zgjedhore, ku secila ka 11 rrethe.
E veçanta: Ata kanë mandate të garantuara për pakicat (1 vend për pakicën italiane dhe 1 për atë hungareze), gjë që flet për një drejtësi përfaqësimi etnik.
Pragu: 4%.
Ashtu si Danimarka, Sllovenia përdor mandate “mbetëse” për të siguruar që votat që nuk prodhuan deputet në nivel lokal, të mblidhen në nivel kombëtar për të prodhuar mandate. Ky model ruan lidhjen me territorin, por njëkohësisht korrigjon padrejtësitë e shpërndarjes lokale, duke balancuar përfaqësimin rajonal me proporcionalitetin kombëtar. Si rezultat, vota nuk humbet dhe deputeti mbetet i lidhur me zonën e tij, pa sakrifikuar drejtësinë elektorale.
PËR PËRMBYLLJE
Ky reflektim nuk synon të idealizojë një model të huaj, por të tregojë se një sistem zgjedhor funksional ndërtohet vetëm kur përputhet me karakterin shoqëror, historik dhe politik të vendit ku aplikohet. Rasti danez dëshmon se përfaqësimi i drejtë nuk vjen nga shumica artificiale, por nga ekuilibri mes përfaqësimit lokal, proporcionalitetit kombëtar dhe kulturës së kompromisit institucional. Risia e këtij materiali qëndron në propozimin e një proporcionalizmi me prag të lartë, të shoqëruar me mekanizma korrigjues dhe bashkëpunimi pas-zgjedhor, si alternativë ndaj fragmentarizimit dhe oportunizmit politik. Ky model ruan lidhjen e deputetit me qytetarin, por e zhvendos përgjegjësinë e partive drejt kombit, duke i detyruar ato të ndërtojnë vizion, doktrinë dhe konsensus përpara se të kërkojnë pushtet. Zgjedhjet e fundit në Danimarkë si zakonisht, prodhuan një parlament të shumë partive. Por atje ky sistem funksionon shumë mirë, edhe me “Parlamentarizmin negativ”. Siç sugjerova më lart pragu i lartë i realizon katër pikat që duhet t’i realizojnë zgjedhjet dhe shmang një listë të gjatë partish si në grafikun më poshtë, duke nxitur që partitë të kalojnë testin e demokracisë së brendshme, kompromisin politik dhe pjekurinë politike para se të shkojnë të paraqiten para zgjedhjeve. Në këtë kuptim, sistemi zgjedhor nuk trajtohet thjesht si formulë matematikore, por si instrument i unitetit kombëtar, i legjitimitetit demokratik dhe i pjekurisë politike. Kjo qasje synon të kthejë zgjedhjet nga një mekanizëm aritmetik në një akt real përfaqësimi dhe përgjegjësie publike.
Autori, anëtar i Departamentit Brain Gain i PD (Panorama)