Modalitete për motivimin e punëtorëve pas liberalizimit të vizave - Gazeta Express
string(64) "modalitete-per-motivimin-e-punetoreve-pas-liberalizimit-tevizave"

OP/ED

Gazeta Express

20/12/2023 16:13

Modalitete për motivimin e punëtorëve pas liberalizimit të vizave

OP/ED

Gazeta Express

20/12/2023 16:13

Shkruan: Vegim Kraja (avokat)

Në këtë fundvit po bëhet realitet liberalizimi i shumëpritur i vizave për shtetasit e Republikës së Kosovës, për udhëtim në shtetet e zonës Shengen, që nënkupton udhëtim në shumicën e shteteve evropiane pa u pajisur me viza për një periudhë të caktuar, me kushte të caktuara, siç është akomodimi i siguruar dhe mjetet financiare të mjafueshme.

Lexo Edhe:

Për derisa liberalizimi do të sjellë përvoja dhe ekspozim të jashtëzakonshëm kulturor për të gjithë shtetasit e Kosovës, heqja e vizave për shtetasit kosovarë nuk po mirëpritet në përgjithësi nga punëdhënësit në Kosovë. Ata druhen se bizneset e tyre do të përballen me mungesë të punëtorëve, e cila tashmë ndjehet në disa sektorë, sidomos në atë të hotelerisë, ku një numër i kafiterive tashmë kanë filluar ta zbatojnë metodën e vetëshërbimit.

Liberalizimi i vizave mund të konsiderohet edhe si mundësi për hakmarrje – i ashtuquajturi “mallkimi i punëtorëve” – ndaj një pjesë të punëdhënësve, të cilët për një kohë të gjatë ua kanë mohuar të drejtat atyre, ndoshta duke qenë në dijeni për mundësitë e kufizuara që ka ofruar tregu i punës në Kosovë.

Disa nga kompanitë private e kanë lexuar drejt situatën. Kohëve të fundit vërehet një përmirësim i kusheteve të punës, rritje e kujdesit dhe investimeve të punëdhënësve për mbajtjen e punëtorëve dhe motivimi i tyre për të qëndruar në vendin përkatës të punës, nga organizimi i pushimeve (të njohur me termin “retreat”), darkat dhe mbledhitë e organizuara për punëtorë brenda dhe jashtë shtetit, “partyt” e fundvitit, krijimi i këndeve të lojërave, pagesa e anëtarësisë në sporte, bonuse të fundvitit dhe përfitime të tjera. 

Së fundi, janë krijuar edhe shoqëri të specializuara, të cilat angazhohen në organizimin e ngjarjeve për motivimin e punëtorëve. Pra, thënë më shkurt, punëtorët nuk motivohen më përmes fjalëve miradie se “ne jemi një familje”, dhe se “ndjene vetën si në shtëpinë tuaj” apo “kompania është e krejtve”. 

Po kufizohem në trajtimin e industrisë së kompanive ICT (internet, komunikim dhe teknologji) që sot përbën pjesën më joshëse të tregut të punës, në veçanti në Prishtinë. Veprimtaria e këtyre shoqërive kryesisht orientohet në eksportin e shërbimeve dhe prodhimit të punëve intelektuale të punëtorëve të tyre jashtë shtetit. Për shkak të numrit relativisht të vogël të këtyre profesionistëve, të cilët punojnë në këto shoqëri, gara për mbajtjen e këtyre punëtorëve në kompaninë e caktuar është më e madhe se sa në industri të tjera dhe motivimi me pagën mujore, sado që të jetë e lartë, të kësaj kategorie të punëtorëve shpesh po rezulton të jetë i pamjaftueshëm.

Drejtuesve dhe menaxherëve të këtyre kompanive që operojnë në fushën e ICT, për motivimin e punëtorëve ua kam propozuar, ndër të tjera, mundësinë e krijimit të “Programit për pronësinë e aksioneve nga punonjësit”, të paraparë me Ligjin Nr. 06/L-016 “Për shoqëri tregtare”, ligj që u krijon mundësi punëtorëve të bëhen aksionarë në shoqëritë ku punojnë. 

Në bazë të Nenit 201, të Ligjit për shoqëri tregtare, “Programet për pronësinë e aksioneve nga punonjësit” janë programe të cilat miratohen nga aksionarët për t’i inkurajuar punonjësit që të blejnë aksione në shoqërinë aksionare. Këto programe munden që po ashtu të lëshojnë mundësi për pjesëmarrësit në lidhje me aksionet që do të emetohen në të ardhmen nga shoqëria aksionare. 

Ligji në fjalë parasheh që programi i pronësisë për pronësine e aksioneve, mund të përmbajë kufizime të ndryshme për punëtorët që mund të përfshihen në programin e blerjes së aksioneve, si për shembull punësimi me orar të plotë apo punësimi për një periudhë të caktuar, si dhe kohëzgjatja e pronësisë mbi aksione aq sa zgjatë afati i punësimit.

Nisur nga fakti se programet e pronësisë së aksioneve janë më tipike për shoqëri tregtare të organizuara në formën e shoqërive aksionare, ndërsa shumica e shoqërive tregtare të tipit korporativ në Kosovë janë të themeluara dhe të organizuara si shoqëri me përgjegjësi të kufizuara, punëtorët mund të përfshihen në strukturën e pronësisë së shoqërisë edhe përmes kontributit të tyre në punë dhe shërbime të ekzekutuara, të cilin dispozitat e Ligjit për Shoqëri Tregtare e njohin si njërën ndër format e kontributit në kapitalin aksionar të shoqërisë. 

Në lidhje me kontributin në punë dhe shërbime të ekzekutuara, Ligji për Shoqëritë Tregtare përjashton shprehimisht dhe nuk e njeh si kontribut të vlefshëm premtimin për kryerjen e punëve dhe premtimi i tillë nuk mund të përkthehet në aksione.

Liberalizimi e fillon një fazë të re në Kosovë që mbase do ta shndërrojmë në mundësi për të reformuar kulturën e punës dhe për ta bërë atraktive ekonominë e konkurrencës dhe tregut të lirë, ku njerëzit motivohen mjaftueshëm për të qëndruar në Kosovë dhe për të shëtitur në Evropë.