Policia e Shtetit ka marrë një plan masash për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të Dielën. Të gjitha aktivitetet elektorale dhe objektet zgjedhore do të mbulohen nga shërbimet policore.
Përmes një njoftimi zyrtar, mësohet se përgjatë fushatës u angazhuan maksimalisht 6500 punonjës policie. Strukturat e posaçme hetimore në radhët e tyre kanë referuar në Prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm dhe SPAK, 37 raste për krime zgjedhore. Këtë të Premte, që është edhe dita e fundit e fushatës elektorale janë marrë po ashtu masat për garantimin e rendit dhe sigurisë.
“Policia e Shtetit tashmë ka marrë në ruajtje objektet zgjedhore që shërbejnë si KZAZ, që në momentin që kanë shkuar materialet zgjedhore, si dhe kryen shërbim në momentin që largohet komisioni i KZAZ-së nga objekti. Lista me 5316 punonjës policie dhe automjete policie, që do të angazhohen për ruajtjen e objekteve zgjedhore dhe shoqërimin e materialeve, është dërguar në KQZ dhe është miratuar. Ditën e Dielë, që është dita finale, me dorëzimin në mëngjes të objekteve që shërbejnë si qendra votimi, punonjësit e Policisë do të tërhiqen në vendgrumbullimet e përcaktuara dhe do të rikthehen për të bërë shoqërimin e materialeve zgjedhore në drejtim të KZAZ-ve, në orën 19:00. Gjatë ditës së votimit, në rast se nga komisionet e qendrave të votimit, koordinatorët, KZAZ-të apo KQZ-ja do të kenë kërkesa për ndërhyrjen e Policisë, në zbatim të Kodit Zgjedhor, Policia ka lënë pikat e kontaktit me komisionet dhe do të veprojë në kohë, konform përcaktimeve ligjore.”
Pas votimit, do të monitorohet në mënyrë strikte procesi i numërimit deri në përfundim të tij.