string(79) "mkrs-ja-jep-detaje-ne-stadiumin-e-gjilanit-do-te-investohen-mbi-12-milione-euro"

Sport

Gazeta Express

20/05/2025 20:02

MKRS-ja jep detaje: Në stadiumin e Gjilanit do të investohen mbi 12 milionë euro

Sport

Gazeta Express

20/05/2025 20:02

Gjilani është në prag të një epoke të re sportive dhe infrastrukturore, pasi sot është nënshkruar kontrata me operatorin ekonomik për ndërtimin e stadiumit të ri të qytetit. Zëvendësministrja në detyrë e Ministrisë së Rinisë, Kulturës dhe Sportit (MKRS), Daulina Osmani, njoftoi përmes një postimi në Facebook se punimet pritet të nisin menjëherë dhe të përfundojnë brenda një periudhe prej 24 muajsh.

Sipas Osmanit, vlera e investimit kap shumën prej 12,783,110 euro. Ajo theksoi se ky projekt nuk është vetëm një ndërhyrje infrastrukturore për qytetin, por një pjesë e rëndësishme e identitetit të Gjilanit – një hapësirë që për dekada ka lidhur gjenerata të tëra me futbollin, emocionin dhe historinë.

“Pas shumë vitesh ndalesa, mungesë serioziteti dhe profesionalizmi, punimet nisin tash dhe do të ndiqen me përkushtim nga MKRS dhe të gjithë akterët përkatës”, theksoi Osmani, duke shprehur vendosmërinë institucionale për realizimin e suksesshëm të këtij projekti.

Ajo gjithashtu shprehu mirënjohje për të gjithë ata që kontribuan në këtë proces – nga individët, zyrtarët shtetërorë, komuniteti i futbollit, e deri te tifozët që nuk kanë rreshtur së kërkuari ndërtimin e këtij stadiumi modern.

Ky zhvillim pritet të ndikojë pozitivisht në jetën sportive, sociale dhe ekonomike të Gjilanit, duke ofruar kushte moderne për klubet, sportistët dhe dashamirët e futbollit në qytet./GazetaExpress/