Mjeku i Napolit shpjegon ‘lëndimin shumë serioz’ të Lukakut dhe jep përditësime për Rrahmanin e Neres - Gazeta Express
string(99) "mjeku-i-napolit-shpjegon-lendimin-shume-serioz-te-lukakut-dhe-jep-perditesime-per-rrahmanin-e-neres"

Futboll

Gazeta Express

10/09/2025 19:59

Mjeku i Napolit shpjegon ‘lëndimin shumë serioz’ të Lukakut dhe jep përditësime për Rrahmanin e Neres

Futboll

Gazeta Express

10/09/2025 19:59

Shefi i stafit mjekësor të Napolit ka shpjeguar shkallën e lëndimit të rëndë të Romelu Lukakut dhe vendimin për të shmangur operacionin, duke dhënë gjithashtu detaje mbi gjendjen e Amir Rrahmanit dhe David Neres.

Kampioni në fuqi i Serie A e nisi sezonin në mënyrë ideale me dy fitore, por është përballur edhe me disa probleme të shumta me lëndime.

Lëndimi i Lukakut

Problemi më i madh ndodhi gjatë verës, kur Lukaku pësoi një shqyerje të muskulit të kofshës gjatë një miqësoreje ndaj Olympiacos, duke e lënë jashtë fushës për katër deri në pesë muaj.

Napoli nuk e pret kthimin e tij deri në dhjetor.

“Biseduam dje, rikuperimi i tij po shkon mirë dhe është brenda afatit të parashikuar,” tha mjeku i Napolit, Dr. Raffaele Canonico për Radio CRC.

Lukaku u rikthye në Belgjikë për konsultime të specializuara dhe aty vendosi të mos i nënshtrohej ndërhyrjes kirurgjikale.

“Duhet të sqarojmë se Romelu pësoi një shqyerje shumë serioze të muskulit rectus femoris, e cila dëmtoi edhe një nga tendinat e vendosjes. Kishim dy opsione: trajtim konservativ dhe kirurgjik. Lojtari zgjodhi të parin, duke marrë parasysh se koha e rikuperimit është pothuajse e njëjtë. Ai ndodhet në Belgjikë me autorizimin e stafit tonë mjekësor, ndaj jam në kontakt të vazhdueshëm me terapistët dhe kolegët që po punojnë me të atje. Brenda dy javësh, një nga terapistët tanë do të udhëtojë në Belgjikë për të parë nga afër progresin dhe trajtimin. Gjithçka është nën kontroll dhe e mbikëqyrur prej nesh.”

Kritikat ndaj stafit të Contes

Napoli dhe stafi i Antonio Contes u kritikuan për numrin e lëndimeve muskulare gjatë muajve të fundit, por Canonico siguroi se kjo është e pashmangshme.

“Ende ekziston miti i zero lëndimeve, por kushdo që merret me sport është i destinuar të ketë disa probleme. Ka elemente gjenetike, por edhe shumë faktorë të ndryshëm që ndikojnë. Ne kemi pasur 15 lëndime muskulare, por skuadra të tjera kanë pasur 40, kështu që në të vërtetë jemi më poshtë se dy të tretat e ekipeve të tjera të Serie A për sa i përket këtyre problemeve.”

Përditësimi për Amir Rrahmanin

Një tjetër lëndim ndodhi gjatë angazhimeve me kombëtaren, pasi mbrojtësi Amir Rrahmani u detyrua të largohej nga loja me Kosovën.

“Ai pësoi një traumë të lehtë, një lezion të shkallës së ulët në bicepsin femoral. Ka filluar tashmë trajtimin rehabilitues. Lëndimet muskulare mund të kenë një prognozë nga dy deri në 12 javë, në varësi të faktorëve të ndryshëm. Ky është një lëndim i lehtë, ndaj mendoj se do të mungojë vetëm për disa ndeshje.”

David Neres

Sulmuesi David Neres mungoi në ndeshjen e fundit ndaj Cagliarit dhe nuk ishte as në pankinë.

“Ai pati një tërheqje të vogël në stërvitje një ditë para ndeshjes, ndaj duke parë se kishim dy javë pushim pa lojëra, nuk deshëm të rrezikonim kundër Cagliarit. Ishte një shqetësim i vogël që do të zgjidhet për disa ditë.” /GazetaExpress/