Mjekja shtatzënë, në vijën e parë të frontit kundër COVID-19 - Gazeta Express

Lajme

Gazeta Express

26/05/2020 12:18

Mjekja shtatzënë, në vijën e parë të frontit kundër COVID-19

Lajme

Gazeta Express

26/05/2020 12:18

Pasi vendosi një pacient me koronavirus në respirator për ta ndihmuar që të marrë frymë, doktoresha Zafia Anklesaria po vërente se fëmija në barkun e saj nuk kishte shkelmuar gjatë procedurës së emergjencës, shkruan agjencia “Reuters”.

Vetëm pasi u kthye në zyrën e saj dhe hoqi pjesën më të madhe të pajisjeve mbrojtëse, fëmija filloi të shkelmonte.

Anklesaria është shtatzënë në muajin e shtatë me fëmijën e saj të parë. 35-vjeçarja është bashkëdrejtoreshë e njësitit të kujdesit intensiv në spitalin “CommonSpirit’s Dignity”, në një një zonë të Los Angelesit, që më tepër i shërben popullatës hispanike dhe afro-amerikane me të hyra të ulëta.

22 shtretërit e njësitit të kujdesit intensiv në spital të caktuar për pacientët me COVID-19 kanë qenë të zënë vazhdimisht që nga 22 marsi. Disa infermiere janë duke qëndruar në punë edhe me ndërrime 24-orëshe, nganjëherë për shkak të numrit të madh të pacientëve në gjendje kritike, thotë Anklesaria.

“Klasa socio-ekonomike së cilës i shërbejmë, ata jetojnë në rreth të ngushtë, nuk kanë privilegjin e distancës së mirë sociale dhe si pasojë e kësaj ata infektohen më tepër”, ka treguar Anklesaria.

Njerëzit që jetojnë në zonat e varfra të Los Angelesit po vdesin nga COVID-19 në një përmasë dyfishë më të madhe sesa ata që jetojnë në zona të pasura, sipas të dhënave të departamentit të shëndetit publik të Los Angelesit.

Ndërrimi 12-orësh i Anklesarias nis në ora 7 të mëngjesit. Ajo punon katër ditë në javë mesatarisht në njësitin e kujdesit intensiv dhe një deri dy ditë të tjera është në konsultime pulmonare me pacientët.

Pasi merr të dhënat nga ndërrimi i natës ajo fillon ndërrimin e saj, duke veshur pajisjet mbrojtëse fillimisht para se të futet në dhomat e pacientëve. Infermieret i qëndrojnë pranë, duke u siguruar që ajo të marrë mjaftueshëm lëngje, e po ashtu të mbrohet si duhet dhe të marrë pushim për ushqim.

“Nuk besoj se do të mund të bëja këtë punë gjatë shtatzënisë pa ndihmën e tyre”, ka deklaruar Anklesaria.

Ajo thotë se është me fat që ka një shtatzëni të lehtë dhe se fëmija në bark vërtetë po “sillet mirë”.

“E ke lejuar nënën të bëjë punën e saj mirë”, ajo i flet barkut.

Ajo shqetësohet se fëmija në bark do të kuptojë stresin dhe frustrimin e saj që po kalon çdo ditë.

“Po mundohem ta siguroj atë që jemi në rregull”, thotë doktoresha.

Por, prapë ka limite fizike: ajo po e ka më të vështirë të qëndrojë në këmbë gjatë një periudhe më të gjatë kohore dhe shpesh ka dhembje shpine.

Në një mëngjes në maj ajo merr një lajm të mirë – një nga pacientët e saj të parë në spital me COVID-19, një punëtor që ka kaluar gati katër javë në respiratorë, është i gatshëm të lirohet nga respiratori.

“Po, ia dole, je zyrtarisht i lirë!” – i thotë doktoresha 65-vjeçarit Vicente Arredondo, ndërsa ia largoi gypat nga goja.

Kur ajo u kthye në shtëpi, e lodhur, bashkëshorti i saj Aryan Jafari (30), frenoi qenin derisa ajo shkoi në dush. Ajo fillimisht kishte dashur të izolohej nga bashkëshorti, por bashkëshorti nuk donte të dëgjonte këtë.

Ai shqetësohet për të dhe fëmijën.

“Mirëpo, për fat të mirë ai e kupton se unë duhet të kthehem në punë. Kjo është puna të cilën kam pranuar. Nëse nuk e bëjmë ne mjekët këtë punë, atëherë kush do ta bëjë?” – thotë Anklesaria.

Jafari është një inxhinier dhe më së miri bindet nga të dhënat, kështu që Anklesaria i ka dërguar atij studime që tregojnë se shtatzënat apo foshnjat nuk janë më të rrezikuara nga koronavirusi. Ajo i ka premtuar familjes se nëse ka dëshmi për të kundërtën, atëherë do të largohet nga njësiti i kujdesit intensiv.

Anklesaria, që vjen nga një familje mjekësh nga India, ka qenë në SHBA që nga kolegji. Prindërit e saj jetojnë në Kalkutë dhe ajo shqetësohet se ata nuk do të mund të jenë pranë saj kur të jetë koha që të lindë.

Për shkak të virusit, ajo duhet të bëjë vizitat gjinekologjike e pashoqëruar, ndonëse bashkëshorti i saj u është bashkuar terminëve me ultrazë nëpërmjet FaceTime.

Ai ia shkruan pyetjet Anklesarias që duhet t’ia bëjë gjinekologes.

“Përgjigjet gjithmonë janë ‘po’”, thotë Anklesaria.