Mjekët paralajmërojnë për ethe që zgjasin deri në shtatë ditë: Pse “super gripi” të jep ndjesinë se nuk po shërohesh - Gazeta Express
string(113) "mjeket-paralajmerojne-per-ethe-qe-zgjasin-deri-ne-shtate-dite-pse-super-gripi-te-jep-ndjesine-se-nuk-po-sherohesh"

Keshilla Mjekësore

Gazeta Express

12/01/2026 19:28

Mjekët paralajmërojnë për ethe që zgjasin deri në shtatë ditë: Pse “super gripi” të jep ndjesinë se nuk po shërohesh

Keshilla Mjekësore

Gazeta Express

12/01/2026 19:28

Mjekët në SHBA po paralajmërojnë për një variant të ri të gripit, i quajtur nga ekspertët “super grip”, i cili po përhapet me shpejtësi dhe mund të shkaktojë ethe të forta që zgjasin deri në shtatë ditë, si edhe simptoma të zgjatura që i bëjnë pacientët të ndihen sikur nuk po përmirësohen.

Varianti i ri, i njohur si nënklada K e gripit A (H3N2) – një formë e paprecedentë më parë – po shënon rritje të shpejtë të rasteve. Sipas të dhënave më të fundit të Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), niveli i sëmundshmërisë është “shumë i lartë” në 32 shtete amerikane.

Që nga fillimi i sezonit, të paktën nëntë fëmijë kanë humbur jetën nga gripi, ndërsa shumë pacientë po përballen me simptoma të rënda, përfshirë vështirësi në frymëmarrje dhe nevojë për trajtim spitalor intensiv.

Ethe të forta dhe simptoma më të ashpra se zakonisht

Mjekët raportojnë se ky variant po shoqërohet me ethe më të forta dhe më të zgjatura sesa gripi i zakonshëm, veçanërisht te fëmijët, por gjithnjë e më shpesh edhe te të rriturit.

“Po shohim më shumë ethe nga sa janë mësuar njerëzit zakonisht me gripin,” ka deklaruar Dr. Mark Loafman, drejtues i Mjekësisë Familjare dhe Komunitare në Cook County Health. “Ethet mund të zgjasin pesë deri në shtatë ditë dhe kjo është shqetësuese. Pacienti ndihet keq dhe ka ndjesinë se nuk po shërohet.”

Të dhënat e fundit tregojnë se një në tre teste gripi rezulton pozitiv – një rritje javore prej 21 për qind dhe 76 për qind më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Që nga shtatori, 97 për qind e mostrave të gripit në SHBA kanë qenë grip A; 86 për qind prej tyre H3N2, dhe 91 për qind e këtyre i përkasin nënkladës K.

Rreziku i përhapjes dhe shtrimet në spital

Ekspertët paralajmërojnë se vala ende nuk ka arritur kulmin. Faktorë si qëndrimi në ambiente të mbyllura, udhëtimet gjatë festave dhe grumbullimet shoqërore pritet ta shtyjnë përhapjen edhe në javët në vijim. Rikthimi i nxënësve në shkolla pas pushimeve mund të nxisë më tej rritjen e rasteve.

Përveç etheve të forta, mjekët raportojnë se te disa pacientë ato nuk ulen lehtësisht as me barna si paracetamoli (Tylenol) apo ibuprofeni (Motrin). Sipas specialistëve, shenja alarmi janë vështirësia në frymëmarrje, fishkëllima gjatë frymëmarrjes, kollë e vazhdueshme dhe lodhje ekstreme – raste që kërkojnë menjëherë vlerësim urgjent.

Simptoma të tjera të shpeshta përfshijnë kollë me sekrecione, dhimbje të forta muskujsh dhe kyçesh, si edhe të vjella dhe diarre. Ndërsa problemet gastrointestinale janë më të zakonshme te fëmijët me grip, mjekët po vërejnë gjithnjë e më shumë raste edhe te të rriturit e infektuar me këtë variant.

Dehidratimi është një tjetër rrezik serioz, sidomos te fëmijët dhe të moshuarit, të cilët shpesh humbasin oreksin dhe nuk marrin mjaftueshëm lëngje gjatë sëmundjes.

Roli i vaksinimit

Autoritetet shëndetësore theksojnë se vaksinimi mbetet mjeti më efektiv për të parandaluar format e rënda të gripit, COVID-19 dhe RSV-së. Edhe pse vaksina e këtij sezoni nuk është projektuar posaçërisht për nënkladën K, mjekët sqarojnë se ajo ofron ende mbrojtje të rëndësishme, duke ulur rrezikun e komplikacioneve, shtrimit në spital dhe vdekjes.

“Vaksina nuk është perfekte dhe nuk e parandalon gjithmonë infektimin, por e zbut ndjeshëm ashpërsinë e sëmundjes,” theksojnë specialistët. Ata shtojnë se personat e pavaksinuar përbëjnë shumicën e rasteve të rënda dhe hospitalizimeve.

Ekspertët këshillojnë se vaksinimi është i dobishëm edhe nëse një person e ka kaluar gripin më parë, pasi qarkullojnë disa nënlloje dhe riinfektimi është i mundur. Sezoni i gripit zakonisht zgjat deri në fund të marsit ose prill, ndaj vaksinimi mbetet i rekomanduar deri atëherë.

Një grip që po qarkullon globalisht

Studime të fundit tregojnë se varianti H3N2 i nënkladës K ka qarkulluar fillimisht në SHBA, më pas është përhapur në hemisferën jugore, duke shkaktuar një sezon veçanërisht të ashpër gripi në Australi dhe Zelandën e Re, dhe tani është rikthyer sërish në SHBA me pasoja serioze.

Ekspertët paralajmërojnë se ky evolucion i virusit tregon sa i paparashikueshëm mund të jetë gripi dhe sa e rëndësishme është vigjilenca, vaksinimi dhe reagimi i hershëm ndaj simptomave. /GazetaExpress/

Advertisement
Advertisement
Advertisement