Dy ndryshime kritike në zakonet tuaja të tualetit mund të jenë shenjë e një forme vdekjeprurëse kanceri që është në rritje në Britani.
Kanceri i rrugëve biliare, i njohur mjekësisht si kolangiokarcinoma, është një kancer që zhvillohet në tubat që lidhin mëlçinë, tëmthin dhe zorrën.
Ky lloj agresiv kanceri prek rreth 3,100 persona në Mbretërinë e Bashkuar çdo vit, dhe vetëm një në 20 pacientë pritet të jenë gjallë pesë vjet pas diagnostikimit.
Organizata Liver Cancer UK deklaron se disa nga shenjat paralajmëruese të këtij lloji kanceri shfaqen vetëm kur njerëzit shkojnë në tualet.
Këto përfshijnë urinë të pazakontë – shumë të errët ose shumë të zbehtë – dhe jashtëqitje të zbehta me ngjyrë si plastelina.
Të dyja janë shenja të mundshme të verdhëzës, një gjendje që tregon se mëlçia është nën stres të madh.
Në rastet e kancerit të rrugëve biliare, kjo mund të jetë shenjë se tumori ka bllokuar tubat që lidhen me mëlçinë, duke bërë që bilia të rrjedhë në gjak dhe inde të tjera.
Shenja të tjera të verdhëzës përfshijnë zverdhjen e lëkurës dhe të bardhave të syve, si dhe kruarje të lëkurës
Simptoma të tjera të mundshme të kancerit përfshijnë humbje të paqëllimshme në peshë, dhimbje barku – më shpesh në anën e djathtë të barkut – simptoma si gripi, si ethe dhe lodhje, si dhe humbje oreksi.
Megjithëse Liver Cancer UK thekson se këto simptoma mund të jenë rezultat i gjendjeve të tjera, ata u bëjnë thirrje njerëzve që i përjetojnë ato të kontaktojnë mjekun e familjes për këshilla.
Kjo sepse, nëse bëhet fjalë për kancer, një diagnozë e hershme mund të përmirësojë ndjeshëm opsionet e trajtimit dhe rezultatet.
Shkencëtarët ende nuk e dinë pse ky lloj kanceri shfaqet te disa persona dhe jo te të tjerë. Megjithatë, Liver Cancer UK thekson se nuk ka gjithmonë lidhje me konsumimin e alkoolit.
“Është një mit që kanceret e mëlçisë janë gjithmonë të lidhura me alkoolin. Në fakt, nuk është e qartë nëse alkooli lidhet fare me kancerin e rrugëve biliare,” thotë organizata transmeton GazetaExpress.
Si në shumë forma të tjera të kancerit, mosha është faktori më i madh i rrezikut për këtë sëmundje – shumica dërrmuese e rasteve ndodhin te pacientët e moshës 50–70 vjeç.
Megjithatë, disa gjendje shëndetësore, si infeksioni me parazitë të quajtur “fluke” të mëlçisë apo disa forma të sëmundjes inflamatore të zorrëve, dihet që rrisin rrezikun për kancerin e rrugëve biliare.
Personat me gjendje të tilla janë në rrezik të shtuar për ta zhvilluar sëmundjen në moshë më të re.
Organizata Cancer Research UK (CRUK) ka vërejtur një rritje të rasteve me këtë lloj kanceri në vitet e fundit.
Arsyeja për këtë rritje nuk është e qartë, por disa ekspertë sugjerojnë se faktorët e stilit të jetesës si duhani dhe alkooli mund të luajnë një rol.
Kanceri i rrugëve biliare ndahet në dy tipe kryesore: intrahepatik dhe ekstrahepatik.
Kanceret intrahepatike zhvillohen brenda rrugëve biliare që ndodhen në mëlçi, ndërsa ato ekstrahepatike zhvillohen në rrugët jashtë mëlçisë.
Të parat konsiderohen si një lloj kanceri i mëlçisë dhe përbëjnë shumicën e rasteve të diagnostikuara në Mbretërinë e Bashkuar.
Të dhënat nga CRUK tregojnë se rastet e kancerit të mëlçisë janë në rritje tek të rriturit e rinj, të cilët në mjekësinë onkologjike përkufizohen si personat nën 50 vjeç në momentin e diagnostikimit.
Normat e kësaj sëmundjeje janë rritur me 86% mes personave 25 deri në 49 vjeç që nga vitet 1990.
Megjithatë, shumica dërrmuese e rasteve ndodhin ende tek të moshuarit, me personat mbi 80 vjeç që kanë rrezikun më të lartë.
Kanceri i mëlçisë besohet të ketë shkaktuar mbi 81,000 vdekje në 20 vitet e fundit, ndërsa vdekjet pritet të rriten edhe me 10% deri në vitin 2040, sipas CRUK.
Aktualisht, kjo sëmundje është shkaku i tetë më i zakonshëm i vdekjes nga kanceri në Britani, por deri në vitin 2040, organizata paralajmëron se mund të renditet e gjashta.
Rreth një në katër raste të kancerit të mëlçisë në Britani shkaktohen nga obeziteti, një në pesë janë të lidhura me duhanin, dhe një në 14 lidhen me konsum të tepërt të alkoolit, sipas studimeve.
Trajtimi për kancerin e rrugëve biliare zakonisht përfshin operacion për të hequr sa më shumë nga sëmundja, ndjekur nga trajtime si kimioterapia. /GazetaExpress/