Politika nuk është arti i heshtjes, as i shmangies së të vërtetave të vështira. Politika është arti i përballjes me realitetin dhe i ndërtimit të së ardhmes përmes veprimit kolektiv. Nuk është një platformë për të folur shumë e për të mos bërë asgjë, por një përgjegjësi për të vepruar, për të ndërtuar, për të sjellë ndryshim.
Fadil Sahiti
Mbrëmë, pashë disa pjesë të një interviste me zotin Lumir Abdixhiku, kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Dëshiroj të ndaj disa reflektime mbi atë që dëgjova, sepse ajo që nuk dëgjova ishte po aq domethënëse.
Një shprehje që zoti Abdixhiku e përsëriti disa herë më mbeti në mendje: “LDK-ja dhe unë nuk bëhemi vagoni i askujt.” Kjo është një shprehje tipike e mentalitetit politik shqiptar: plot krenari, e ngjyer me inat dhe njëfarë arrogance, që reflekton iluzionin se një individ apo parti mund të jetë lokomotiva që tërheq të tjerët. Kjo mendësi është bërë pengesë për progresin politik, shoqëror dhe ekonomik të shtetit tonë. Politikanët tanë shpesh e harrojnë thelbin e politikës dhe, rrjedhimisht, humbin edhe sensin e përgjegjësisë ndaj qytetarëve.
Pa asnjë pretendim për të dhënë leksione akademike, politikanëve tanë dua t’ua kujtoj një të vërtetë të thjeshtë por themelore: politika nuk është një garë për të treguar kush është më i fuqishëm, kush është lokomotiva, kush udhëheq e kush ndjek. Politika, në kuptimin e saj më të thellë, siç na mëson Hannah Arendt, është para së gjithash veprim i përbashkët. Politika nuk është një instrument pushteti që shfrytëzohet për të dominuar mbi të tjerët; është hapësira ku njerëzit mblidhen së bashku për të folur, për të dëgjuar, për të debatuar dhe, mbi të gjitha, për të vepruar së bashku në ndërtimin e një bote më të mirë. Politika është, në thelb, akti i lirisë njerëzore: mundësia për të filluar diçka të re, për të ndërtuar një të ardhme që nuk është e dhënë, por e krijuar përmes bashkëpunimit.
Kur politika reduktohet në një lojë individualiste të ambicies dhe arrogancës, ajo humbet funksionin e saj më të rëndësishëm: të krijojë ura, të tejkalojë ndarjet dhe të forcojë besimin e ndërsjellë. Ky është gabimi që po e bën Vetëvendosje, e cila ka rënë në grackën e mendësisë se mund të bëjë gjithçka vetë, duke e ndarë shoqërinë në “ne” të mirët dhe “ata” të këqijtë, duke premtuar se e zeza do të bëhet e bardhë vetëm nga fuqia e tyre. Por ky stil përjashtues, i mbyllur dhe vetëkënaqës, në thelb krijon ndasi më të thella, jo bashkim.
Duke dëgjuar zotin Abdixhiku, fatkeqësisht, nuk pashë ndonjë ndryshim thelbësor nga ky model politik. Diskursi i tij ishte i mbushur me fjalë, ide dhe aspirata, por ajo që i mungonte ishte guximi politik. Dhe pikërisht guximi është ajo që i duhet Kosovës sot.
Ajo që unë do të doja të dëgjoja nga intervista e zotit Abdixhiku është një diskurs ndryshe: ide të guximshme, që prekin thelbin e sfidave të Kosovës. Sepse nuk mund të ecim përpara nëse liderët tanë nuk janë të gatshëm të trajtojnë qartë dhe hapur tri ose katër çështjet thelbësore të këtij shteti.
Së pari, duhet të kemi guximin të pranojmë se nuk ka të ardhme pa një marrëveshje të qëndrueshme me serbët që janë pjesë e shtetit tonë. Një qëndrim i qartë mbi Asociacionin nuk është opsional, është i domosdoshëm. Kjo është e vërteta politike që duhet t’i thuhet popullit, hapur dhe pa asnjë ambiguitet. Duhet të pranojmë se rruga e Kosovës drejt progresit kalon përmes zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, pavarësisht nëse na pëlqen apo jo.
Së dyti, rruga e Kosovës përpara kërkon reforma të thella dhe sistematike, sidomos në arsim, në shëndetësi, në kulturë, dhe në çdo fushë tjetër të jetës publike. Duhet t’i themi qytetarëve tanë me gjuhë të thjeshtë e të drejtpërdrejtë: kemi shumë institucione të dëmshme, sidomos universitete dhe shkolla që prodhojnë diploma por jo aftësi. Duhet të kemi guximin të mbyllim pjesët më të dëmshme të këtyre institucioneve, sado jopopullor të jetë ky veprim. Kemi nevojë për një sistem shëndetësor që e çrrënjos papërgjegjësinë dhe mungesën e profesionalizmit nga rrënjët.
Politika nuk është arti i heshtjes, as i shmangies së të vërtetave të vështira. Politika është arti i përballjes me realitetin dhe i ndërtimit të së ardhmes përmes veprimit kolektiv. Nuk është një platformë për të folur shumë e për të mos bërë asgjë, por një përgjegjësi për të vepruar, për të ndërtuar, për të sjellë ndryshim.
Ky është diskursi që do të doja të dëgjoja nga lideri i LDK-së: një diskurs i qartë, i guximshëm dhe i fokusuar tek veprimi, jo tek fjalët e zbrazëta. Derisa ta dëgjojmë këtë qartësi dhe këtë guxim, nuk mund të themi se zoti Abdixhiku ndryshon nga pjesa tjetër e klasës politike në Kosovë. Kosova meriton më shumë.