string(85) "mitrovice-e-veriut-gjate-punimeve-zbulohet-nje-granate-dore-nderhyn-policia-e-kosoves"

Lajme

Gazeta Express

29/05/2025 18:38

Mitrovicë e Veriut: Gjatë punimeve zbulohet një granatë dore, ndërhyn Policia e Kosovës

Lajme

Gazeta Express

29/05/2025 18:38

Një mjet i dyshimtë, që rezultoi të jetë granatë dore e modelit M-75, është gjetur sot në rrugën “Xhon Kenedi” në Mitrovicën e Veriut, gjatë punimeve për rregullimin e trotuareve nga një kompani ndërtimi. Rreth orës 14:28, rasti është raportuar në Stacionin Policor të Mitrovicës Veriore.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, njësitë policore kanë reaguar me shpejtësi duke dalë në vendin e ngjarjes, ku menjëherë është bërë sigurimi i perimetrit dhe ndërmarrja e masave për garantimin e sigurisë publike.

Në vendngjarje ka dalë edhe Njësia për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive (EOD), e cila ka bërë tërheqjen e mjetit shpërthyes. Pas ekzaminimit, u konfirmua se bëhet fjalë për një granatë dore M-75, prodhim serb.

Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar që rasti të cilësohet si:
“Mbajtje në pronësi, posedim, kontroll dhe shfrytëzim i paautorizuar i armëve.”

Policia e Kosovës ka theksuar përkushtimin e saj për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike dhe ka ftuar qytetarët që të raportojnë menjëherë çdo rast të dyshimtë apo të rrezikshëm në numrin emergjent 192 ose në stacionin më të afërt policor.