Në Shqipëri vazhdon të qarkullojë një besim i rrënjosur thellë dhe thuajse naiv: që pushteti me kalimin e kohës e konsumon veten. Se çdo mandat i ri e dobëson qeverinë, se njerëzve do iu vijë në majë të hundës, do zhgënjehen dhe në një ditë zgjedhjesh do bëjnë aktin e ndëshkimit të madh. Ky iluzion që më shumë përdoret nga opozita, nuk përputhet as me realitetin empirik e statistikor të politikës moderne dhe as me literaturën akademike, që e ka analizuar thellë këtë fenomen.
Shkruan: Adri Nurellari
Në fakt, e kundërta është më shpesh e vërtetë: pushteti gjeneron më shumë pushtet dhe se rotacioni nuk vjen nga lodhja apo skadimi, por nga përballja. Miti që thotë se pushteti konsumohet vetvetiu edhe pse artikulohet shpesh si shpresë, në të vërtetë fsheh një formë dorëzimi ose alibi për të justifikuar apatinë, paaftësinë për të ristrukturuar veten, për të ndërtuar një alternativë të re e të besueshme që do të mundte të ngjallte shpresë reale për ndryshim tek qytetarët. Në vend që të bëjë përpjekjen e vështirë për të ndryshuar mënyrën si funksionon, për të marrë guximin e përballjes me vetveten dhe me nevojat e votuesit, opozita strehohet te ky fatalizëm politik, pra te pritja që pushteti do të rrëzohet nga pesha e zullumit të vet. Në fakt, ky lloj diskursi që po ripërsëritet edhe sivjet, është një mënyrë për të mos bërë asgjë, për të mos hapur garën e brendshme, për të mos investuar në ide dhe figura të reja. Është një strategji e vetëjustifikimit kolektiv, që lejon opozitën të mbijetojë politikisht, por jo të sfidojë realisht.
Madje, të qëndrosh në opozitë bëhet më komode kur bind vetveten dhe elektoratin, se rotacioni është çështje kohe, jo përpjekjeje. Për rrjedhojë, ideja e konsumimit të pushtetit nuk është më një analizë objektive, por një mit i nevojshëm për të shmangur përballjen me një të vërtetë të pakëndshme: që nëse qeveria nuk bie, është ndoshta sepse opozita nuk ka ngritur dot diçka më të mirë për t’i zënë vendin. Dhe për aq kohë sa ky mit vazhdon të mbijetojë, pushteti betonizohet sikurse ndodhi me këto zgjedhje. Në shkenca politike ka tashmë një lloj konsensusi që ata që janë në detyrë, falë pushtetit, kanë avantazhe të theksuara elektorale përkundrejt opozitës apo sfiduesve. Madje, kaq e fortë është kjo bindje, sa në SHBA u detyruan të ndryshonin Kushtetutën përmes Amendamentit të 22-të. Atje vendosën në 1951 ta kufizonin presidencën në dy mandate katërvjeçare, pasi Franklin D. Roosevelt u zgjodh katër herë (1932–1945). Statistikisht, 70% e presidentëve amerikanë kanë shanse që të rizgjidhen për një mandat të dytë (nga 12 presidentë që kanë kërkuar rizgjedhje pas Luftës së Dytë Botërore, 8 janë rizgjedhur), ndërsa në Kongres probabiliteti i rizgjedhjes së pushtetarëve shkon mbi 80%.
Për shembull: në zgjedhjet e fundit për Dhomën e Përfaqësuesve të mbajtura vjet, rreth 95% e deputetëve në detyrë arritën të rizgjidhen për një mandat të ri, ndërsa në zgjedhjet për senat të vitit 2022, nga 27 senatorë që garuan për rizgjedhje fituan 24 syresh ose rreth 89%. Avantazhi i pushtetarëve në procese zgjedhore nuk vlen vetëm për SHBA. Në Britaninë e Madhe, konservatorët fituan katër mandate rresht (1979–1997) me Thatcher e Major. Situata u përsërit me laburistët, që fituan 4 mandate radhazi me Blair e Brown. Në Gjermani, Merkel qëndroi në pushtet 16 vjet (2005–2021) përmes 4 rizgjedhjeve e para saj, edhe Helmut Kohl (1982–1998). Në Spanjë socialistët e mbajtën pushtetin me Gonzalez për 4 mandate (1982– 1996). Edhe po të shikohen demokraci të tjera të konsoliduara, ka pasur raste të ngjashme, me liberalët e Kanadasë që e mbajtën pushtetin për katër legjislatura (1993–2006), ngjashëm me liberalët e Australisë (1996–2007). Ka vende me raste edhe më ekstreme, si socialdemokratët e Suedisë që e mbajtën pushtetin 11 mandate radhazi (1932–1976), apo liberal-demokratët e Japonisë që kanë sunduar mbi 50 vjet pothuajse të pandërprerë. Janë të shumtë studiuesit e shkencave politike që e kanë analizuar këtë tendencë, duke filluar nga teoria e burimeve institucionale e zhvilluar nga autorë si Mayhew dhe Fiorina. Ata theksojnë se politikanët në pushtet përfitojnë nga kontrolli mbi burimet shtetërore, si buxheti, stafi, media publike dhe aksesi në informacion, të cilat i shfrytëzojnë për të ndërtuar një imazh pozitiv dhe për të mobilizuar elektoratin.
Në mënyrë plotësuese është nxjerrë teoria e patronazhimit politik, e trajtuar nga studiues si Susan Stokes dhe Herbert Kitschelt, të cilët argumentojnë se në këmbim të besnikërisë elektorale, pushteti shpërndan favore materiale si vende pune, kontrata publike, ndihmë ekonomike, për të shkuar tek licenca, legalizime, amnisti apo imunitet për shkelje ligjore. Të dyja teoritë janë plotësisht të aplikueshme në Shqipëri, ku pushteti aktual përdor rregullisht instrumentet shtetërore për të forcuar pozitat elektorale, ndërsa punësimet në administratë dhe përfitimet sociale shpesh funksionojnë si mjete kontrolli klientelist. Ky ndërveprim midis burimeve publike dhe shpërblimeve selektive krijon një avantazh strukturor të jashtëzakonshëm për qeverinë, duke deformuar konkurrencën politike dhe duke dobësuar funksionin ndëshkues të votës.
Thënë ndryshe, në rastin tonë, ku kapja institucionale është kapilare, këto avantazhe shndërrohen në një barrierë madhore ndaj rotacionit, që lë të kuptohet se pushteti jo vetëm që nuk konsumohet, por përkundrazi, ushqen vetveten. Një tjetër avantazh thelbësor i të qenurit në detyrë është kontrolli i rendit të ditës, pra diktimi i agjendës së debatit publik duke anashkaluar temat e “pakëndshme”. Qeveria vendos jo vetëm temat, por edhe këndvështrimin me të cilin ato shihen, duke ndikuar drejtpërdrejt në perceptimin e qytetarëve dhe duke krijuar ndjesinë e një situate normale, nën kontroll. Përmes dominimit të mediave, shpërndarjes së lajmeve të filtruara, spektakleve dhe ritmit të ngjeshur të aktiviteteve të inskenuara, ajo e zhvendos vëmendjen publike nga dështimet apo skandalet tek temat që krijojnë ndjesinë e progresit apo stabilitetit. Në vend që qytetarët të merren me aferat e demaskuara prej SPAKut, premtimet e pambajtura apo me përkeqësimin e shërbimeve publike, ata ndjekin lajmet për hapjen e një kantieri, një vizitë ndërkombëtare, ose ndonjë dekorim. Në fushën e komunikimit politik, pushtetarët kanë edhe një avantazh tjetër, të cilin studiues si Robert Zajonc e kanë quajtur efekti i ekspozimit të përsëritur. Ai ishte i pari që formuloi teorikisht idenë se njerëzit priren të kenë më shumë pëlqim dhe besim ndaj diçkaje që e kanë parë më shpesh, pavarësisht nga përmbajtja.
Në politikë, kjo përkthehet në faktin që garuesit më të ekspozuar në media apo në hapësirë publike perceptohen si më të besueshëm apo më të aftë, thjesht sepse janë të njohur. Për ta kuptuar sa fuqi ka ekspozimi i vazhdueshëm që avantazhon pushtetarët, mjafton të kujtojmë dashurinë kolektive dhe adhurimin absurd ndaj personazheve të “Big Brother”, njerëz pa asnjë arritje apo meritë reale, por që vetëm nga prania e përditshme në ekran, kthehen në idhuj kombëtarë. Një tjetër mekanizëm i fuqishëm që ndihmon pushtetin në detyrë është ai që Samuel Popkin e ka përshkruar si “votimi racional me pak informacion”. Në librin e tij “Votuesi Racional”, ai shpjegon se shumica e votuesve nuk marrin vendime mbi bazë analize të thelluar politike, por nëpërmjet heuristikave, të cilat janë mënyra të shkurtra mendore për të marrë vendime me informacion të pjesshëm.
Në mungesë informacioni të plotë, njerëzit e barazojnë “familjaritetin” me “besueshmërinë”. Prandaj qeveritë nuk humbasin zgjedhjet vetëm pse kanë skandale, por vetëm kur përballë tyre del një alternativë që është po aq e dukshme, e njohur dhe e besueshme për publikun. Nëse opozita nuk arrin të ndërtojë këtë praninë e vet në vetëdijen kolektive, votuesit priren të qëndrojnë tek ajo që u duket më e njohur dhe familjariteti është shpesh më i fortë se arsyeja. Këtë prirje të avantazhit të pushtetmbajtësit, e konfirmon edhe teoria e votës retrospektive, e cila argumenton se në vend që të funksionojë si ndëshkim për dështimet, vota retrospektive shpesh përfundon si justifikim për të mos ndryshuar asgjë. Sipas kësaj teorie, kur mungon një krizë e fortë, një kolaps apo një moment kthese (që t’i nxisë votuesit që të ndërmarrin një akt ndëshkimi të prerë) votuesit shpesh ndjekin inercinë e pushtetit ekzistues, duke e konsideruar si “të keqen e njohur”.
Kjo është veçanërisht e dukshme në Shqipëri, ku shumica e qytetarëve nuk e perceptojnë qeverisjen aktuale si një traumë apo sëmundje akute që kërkon ndërhyrje të menjëhershme, por si një sëmundje kronike. Si të ishte diabet apo hipertension që nuk të vret menjëherë, por që ta rëndon dhe shkurton jetën, por me të cilën mund të mësohesh të bashkëjetosh. Kjo është një arsye e fortë pse ndëshkimi elektoral nuk vjen automatikisht, ai ose kërkon një krizë që e bën të padurueshme gjendjen, ose një alternativë të fortë frymëzuese që e bën të besueshëm shërimin. Në mungesë të të dyjave, mbizotëron status quo-ja, jo si zgjedhje aktive, por si mekanizëm mbijetese. Në këtë aspekt, studiuesit e psikologjisë politike kanë nxjerrë edhe një teori të ngjashme të votimit që shmang rrezikun, që shpjegon pse shumë njerëz, edhe kur janë të pakënaqur me qeverinë, zgjedhin të mos ndryshojnë.
Ata nuk votojnë domosdoshmërish nga bindja, por nga frika se mos ndryshimi i sjell diçka edhe më keq. Ky koncept është i ndërlidhur me teorinë e perspektivës të zhvilluar nga nobelisti Kahneman dhe kolegu i tij Tversky, të cilët tregojnë se njerëzit kanë shumë më tepër prirje të shmangin humbjen sesa të kërkojnë fitimin. Me logjikë të ngjashme, këtyre teorive iu shtohet edhe fenomeni i njohur teorikisht si votimi negativ, i cili ndodh kur qytetarët nuk votojnë sepse besojnë tek një palë, por sepse duan të pengojnë ardhjen në pushtet të tjetrës. Në këtë rast, vota nuk është akt mbështetjeje, por një formë refuzimi strategjik ndaj asaj që perceptohet si më e rrezikshme, më e paaftë apo më destabilizuese.
Sipas kësaj teorie, të zhvilluar nga Abramowitz dhe Webster, shumë votues nuk e japin votën shtyrë nga entuziazmi për pushtetin, por nga urrejtja apo frika që kanë ndaj kundërshtarit. Ky mekanizëm është shfrytëzuar në mënyrë të vetëdijshme nga Partia Socialiste, e cila prej dekadash i ka ndërtuar fushatat duke ndjellë frikë me moton “gjithë fajin e ka Saliu”. Kjo strategji ka kulmuar sivjet me spotet që shfaqin pamje nga trazirat e vitit 1997, shpërthimi tragjik i Gërdecit dhe retorika për rikthimin e errësirës së vjetër, duke prodhuar një klimë ku vota për PS nuk paraqitet si shprehje shprese për të ardhmen, por si bllokadë ndaj së shkuarës.
Kjo fushatë efikase ka bërë që një pjesë e madhe e votuesve të pavendosur ose të socialistëve të zhgënjyer me pushtetin, të mos e ndëshkojnë qeverinë nëpërmjet votës, por ta votojnë vetëm për të mos lejuar kthimin e një lideri të cilin e shohin si simbol të krizave të mëparshme. Në këtë kuptim, vota për pushtetin nuk është as vlerësim, as shpresë – është një akt mbrojtjeje ndaj një opozite, që shihet nga shumë votues si kërcënim e jo si zgjidhje. Një tjetër shpjegim i fuqishëm teorik se pse pushteti nuk konsumohet, lidhet me atë që në shkencat sociale quhet gabimi i kostos së zhytur (sunk cost fallacy).
Fjala “zhytur” nënkupton diçka që është investuar dhe nuk mund të tërhiqet më, që në kontekst elektoral ka të bëjë me ata njerëz që kanë investuar emocionalisht e politikisht për një kohë të gjatë në një forcë politike dhe e kanë shumë të vështirë të shkëputen, edhe kur janë të zhgënjyer, sepse do ta konsideronin një përballje me veten. Pra, nuk e braktisin qeverinë që kanë mbështetur për vite me radhë, sepse ndryshimi do të nënkuptonte një vetëkritikë publike e personale, një pranim se kanë gabuar për një kohë të gjatë. Kjo e bën edhe më të vështirë ndëshkimin elektoral të qeverive, sepse mbështetja për pushtetin nuk është thjesht politike, por e lidhur ngushtë me krenarinë dhe vetëbesimin, me ndjenjën e përkatësisë dhe identitetit të tyre politik. Dhe sa më gjatë të zgjasë ky investim, aq më i lartë bëhet “çmimi psikologjik” i ndryshimit.
Njëfarë mentaliteti i kumarxhiut, që vazhdon të shkojë në kazino me shpresën se “do nxjerrë të paktën të miat që kam hedhur deri më sot”. Ngjason edhe me marrëdhëniet e dështuara personale, që vazhdojnë vetëm ngaqë është investuar shumë për t’i përfunduar, ashtu edhe votuesit shpesh zgjedhin ta justifikojnë vazhdimin sesa të ndërpresin ciklin. Ata i thonë vetes se “të tjerët janë më keq se ky”, se “të paktën ky di të sillet me botën”, apo se “të gjithë janë njësoj”. Dhe kështu, identiteti politik shndërrohet nga një zgjedhje racionale apo rrethanore në një kurth emocional, ku ndryshimi do të thotë të pranosh se ke mbrojtur një kauzë të gabuar, ke heshtur para padrejtësisë, krimit e korrupsionit, ke ndërtuar një shtëpi mbi një mashtrim dhe ke jetuar në të sikur të ishte themel i vërtetë.
Të gjitha këto bëjnë që çdo ndryshim të duket si tradhti ndaj vetes. Kjo pra është një tjetër arsye e fortë pse rotacioni politik nuk ndodh vetvetiu. Nuk mjafton që qeveria të ketë dështuar apo të ketë pasur skandale, por duhet që edhe opozita të krijojë një ofertë që jo vetëm jep shpresë për të ardhmen, por edhe ua lehtëson votuesve shkëputjen nga lidhja e vjetër, duke i ofruar një rrëfim të ri, të besueshëm dhe dinjitoz, që i ndihmon të mos e ndjejnë ndryshimin si tradhti, por si përparim. Pa këtë rrëfim të ri, çdo krizë e qeverisë ngelet vetëm një shqetësim i përkohshëm dhe çdo palë zgjedhje do jenë një tjetër vërdallisje në të njëjtin rreth vicioz. Në përmbyllje, duhet ritheksuar se praktika e teoria demonstrojnë se pushteti nuk bie sepse lodhet apo konsumohet, por bie vetëm kur dikush e rrëzon.
Miti i konsumimit i shërben një opozite që nuk arrin të ndërtojë një alternativë të besueshme dhe e zhvendos përgjegjësinë nga mungesa e ofertës te kalimi i kohës. Presin që koha do të bëjë punën që s’ka guxim apo takat ta bëjë vetë, ndërtimin e alternativës shpresëdhënëse. Padyshim që Shqipëria ka probleme të mëdha dhe opozita ka shumë vështirësi, por në fund të fundit, opozita synon t’i dalë zot kësaj Shqipërie, me të mirat dhe të këqijat e saj, e jo të garojë për Norvegji apo Suedi. Prandaj duhet kuptuar se, siç e tregon literatura e përmendur më sipër mbi avantazhin e pushtetit, klientelizmin, kontrollin e agjendës, efektin e njohjes, votën retrospektive, votën negative, koston e zhytur etj., pushteti nuk konsumohet automatikisht. Përkundrazi, pushteti ka prirje të forcohet sa herë që opozita është e dobët, e përçarë dhe e paaftë për të ndërtuar një alternativë të besueshme, ose për sa kohë që vetë shoqëria nuk arrin të lindë një opozitë të re më vizionare dhe përfaqësuese të denjë të aspiratave të saj.