Misteri për një të mbijetuar e "gabimi njerëzor", çka deklaruan autoritetet bullgare për aksidentin tragjik - Gazeta Express

Lajme

Gazeta Express

25/11/2021 12:38

Misteri për një të mbijetuar e “gabimi njerëzor”, çka deklaruan autoritetet bullgare për aksidentin tragjik

Lajme

Gazeta Express

25/11/2021 12:38

Gabimi njerëzor është dyshimi kryesor që besohet të ketë shkaktuar aksidentin me autobusin e Maqedoninë së Veriut në një autostradë të Bullgarisë, ka deklaruar në Sofje, zëvendëskryeprokurori dhe drejtori i Shërbimit Hetimor Kombëtar në Bullgari, Borislav Sarafov.

“Për momentin pista më e besueshme është ajo e faktorit njeri, për të cilin po shqyrtohen kushtet e seksionit ku ka ndodhur aksidenti, si sinjalistika dhe ndriçimi rrugor. Trotuari në të cilin ka goditur shoferi i autobusit është jo vetëm i panevojshëm në vend, por edhe i rrezikshëm. Në vendngjarje nuk pati asnjë shpërthim, por zhurma e fortë që u dëgjua ishte ajo e autobusit që u përplas në trotuar, ndoshta kjo është arsyeja pse autobusi mori flakë”, ka deklaruar Sarafov.

Lexo Edhe:

“Nga autopsitë rezulton se të gjithë pasagjerët kanë vdekur nga ngufatja prej tymit, jo nga goditja. Kjo do të thotë se ata ishin gjallë në momentin e zjarrit. Vlerësimi përfundimtar i shkaqeve të aksidentit do të duhet të jepet nga analiza përfundimtare, por versioni kryesor për momentin është gabim njerëzor – si shkak i aksidentit”, ka theksuar Sarafov në konferencë për media më 25 nëntor.

Ai ka thënë se në vendin e aksidentit janë gjetur trupat e 44 personave, tetë kanë mbijetuar, ndërsa një tjetër rezulton i zhdukur.

“Gjatë marrjes në pyetje, njëri prej të mbijetuarve ka thënë se janë shpëtuar tetë persona, jo shtatë. Njëkohësisht në vendin e tragjedisë janë gjetur 44 trupa. Hetuesit po kontrollojnë versionin për të parë nëse ka një tjetër të mbijetuar dhe ku ndodhet. Mund të ketë dalë nga kufiri me një mjet tjetër, një autobus tjetër, që duhet kontrolluar”, ka thënë prokurorja Sijka Mileva.

Prokurorët bullgarë kanë hedhur poshtë gjithashtu spekulimet për ndonjë akt terrorist.

“Versioni për ndonjë akt terrorist është hulumtuar siç duhet nga ne. Ne e refuzojmë kategorikisht atë”, ka deklaruar Sarafov.

Dyshimet se në autobus ka pasur karburante, që mund të jenë bartur për kontrabandë, gjithashtu janë hedhur poshtë si mundësi për shpërthimin e zjarrit.

“Ka pasur informacione se në autobus po transportoheshin derivate të karburanteve, benzinë dhe dizel dhe se ato mund të kenë qenë shkaqet e shpërthimit të zjarrit. Kjo pistë është hetuar, por kategorikisht e hedhim poshtë si të pabazuar. Tre bidonë u gjetën në vend, që përmbanin vetëm mbetje vaji, pra nuk ishin të mbushur dhe as të djegur. Kjo nënkupton se zjarri nuk është shkaktuar nga karburanti”, ka sqaruar Sarafov.

Autobusi, i regjistruar në Maqedoninë e Veriut, është përfshirë nga flakët në një autostradë në jugperëndim të Sofjes, mëngjesin e 23 nëntorit. Shumica e udhëtarëve ishin turistë që ktheheshin nga një udhëtim në Stamboll të Turqisë.

Bullgaria, vend anëtar i BE-së me 6.9 milionë banorë, është përballur me disa aksidente rrugore vdekjeprurëse në vjetët e fundit.

Ndër të fundit ka ndodhur më 2018, kur 17 turistë bullgarë kanë vdekur pas rrëshqitjes dhe rrokullisjes së autobusit, si pasojë e lagështisë.

Aksidentet zakonisht janë shkaktuar për shkak të kushteve në rrugë, makinave të vjetra dhe mospërshtatjes së shpejtësisë.

Sipas të dhënave zyrtare, 628 persona kanë vdekur në aksidente rrugore më 2019 dhe 463 vitin e kaluar, në shtetin me 6.9 milionë banorë.