Misteri 40-vjeçar, çfarë ndodhi me “vajzën e Vatikanit” Emanuela Orlandi? - Gazeta Express
string(69) "misteri-40-vjecar-cfare-ndodhi-me-vajzen-e-vatikanit-emanuela-orlandi"

Misteri 40-vjeçar, çfarë ndodhi me “vajzën e Vatikanit” Emanuela Orlandi?

Lajme

Gazeta Express

01/02/2023 10:13

Vatikani ka rihapur së fundmi një hetim në lidhje me zhdukjen e 15-vjeçares Emanuela Orlandi në qershorin e vitit 1983. Publikimi i dokumentarit “Vatican Girl” nga Netflix muajt e fundit, ka ushtruar një presion në rritje mbi Kishën Katolike.

Orlandi ishte vajza e një punonjësi të Vatikanit dhe jetonte brenda mureve të qytetit-shtet. Ajo u zhduk në verën e gati 40 viteve më parë, teksa po kthehej në shtëpi nga një kurs muzike në Romë. Ja cilat janë disa nga teoritë më të spikatura rreth zhdukjes së saj.

Lexo Edhe:

Teoria e lidhjes Orlandi-Agça

Mehmet Ali Agça ishte një turk, anëtar i një grupi paraushtarak të krahut të djathtë, që u dënua dhe burgos për atentatin ndaj Papa Gjon Palit II në vitin 1981. Agça pretendoi dikur se Orlandi ishte rrëmbyer nga agjentët bullgarë të “Ujqërve Gri”, një organizatë rinore ultra-nacionaliste, neofashiste turke, anëtar i së cilës ishte edhe ai vetë.

Gjatë një intervistë dhënë nga burgu për televizionin shtetëror italian, RAI, ai tha se Orlandi ishte gjallë dhe nuk ishte në rrezik. Në mesin e viteve 2000, gjykatësi Ferdinando Impozimato tha se bazuar në atë që kishte mësuar për “Ujqërit Gri”, Orlandi mund të bënte një jetë normale, e integruar në mënyrë të përkryer në komunitetin mysliman. Përveç kësaj, familja Orlandi mori edhe një telefonatë që kërkonte lirimin e Agça në këmbim të Orlandit. Megjithatë, nuk u dha asnjë informacion tjetër.

Teoria e skandalit seksual të Vatikanit

Dokumentarët e shumtë mbi zhdukjen e Orlandit, eksplorojnë mundësinë që Vatikani të jetëpërfshirë ose të ketë pasur dijeni mbi zhdukjen e saj. Në majin e vitit 2012, prifti 85-vjeçar dhe ekzorcisti At Gabriele Amort, pretendoi se Orlandi ishte rrëmbyer nga policia e Vatikanit për t’u përdorur gjatë festave seksuale.

Ai shtoi se më pas ajo u vra. Amort tha gjithashtu se një ambasadë e huaj, emrin e të cilës nuk e përmendi, ishte përfshirë në zhdukjen e saj. Në dokumentar, një mik i fëmijërisë së Orlandit pretendoi se adoleshentja ishte sulmuar seksualisht nga “një njeri shumë pranëPapës” disa javë para se ajo të zhdukej.

Orlandi u zhduk pak ditë pasi i tregoi mikut të saj mbi ngjarjen e supozuar. Dokumentarët e çojnë teorinë më tej dhe sugjerojnë se ajo mund të ishte dërguar në një manastir në Londër. Një dosje e zbuluar e Vatikanit tregon shpenzimet e qëndrimit të Orlandit në një manastir në Londër për gati 15 vjet.

Teoria e krimit të organizuar

Antonio Mançini, një anëtar i organizatës kriminale “Banda della Magliana”, la të kuptohej gjatë një interviste dhënë në vitin 2011, se rrëmbimi i Orlandit ishte vetëm një nga aktet e shumta që kreu banda kundër Vatikanit. Sipas Mançinit, ai akt u ndërmor për të detyruar kthimin e shumave të mëdha të parave që i kishin dhënë hua Bankës së Vatikanit.

Sipas kësaj teorie, Orlandi ishte e lidhur me kreun e bandës Enriko De Pedis, i cili vdiq në 1990. Në vitin 2005, një telefonatë anonime në programin televiziv italian “Chi l’ha visto?”, tha se varri i De Pedis përmbante prova që do ta ndihmonin policinë të kuptonte se çfarë ndodhi realisht me Orlandin.

Përveç kësaj, një nga ish të dashuratt e De Pedis, deklaroi se ai i kishte rrëfyer një herë se e kishte rrëmbyer Orlandin. Në vitin 2012, policia italiane hapi varrin e Pedis dhe mori mostrat e ADN-së. Gjithsesi, nuk u gjetën të dhëna që lidhin De Pedis me Orlandin. Ne lidhje me rihapjen e kësaj çështje, drejtori i Zyrës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Mateo Bruni tha se po zhvillohet në përgjigje të “disa kërkesave të bëra nga familja”. / Newsweek – Bota.al