Kosova e mbylli së fundmi një eksperiencë tjetër magjike në Lojëra Olimpike.
Për të dytën herë radhazi, vendi ynë i fitoi nga dy medalje olimpike.
Distria Krasniqi dhe Laura Fazliu fituan medalje të argjendtë respektivisht të bronztë në “Paris 2024”, duke e ndihmuar Kosovën ta mbyll përvojën në këto Lojëra Olimpike në vendin e 73-të.
E trajneri Driton Kuka është jashtëzakonisht i kënaqur dhe i lumtur me arritjet e sportisteve të tij, shkruan “Gazeta Express”.
Falë trajnerit historik, Kosova i numëron pesë medalje olimpike, prej tyre tri të arta, një të argjendtë dhe një të bronztë.
Kështu, Kuka me garuesit e tij e mbuluan me medalje logon e Olimpiadës me pesë rrathë.
“Mision i kompletuar”, shkroi Kuka në Facebook teksa e publikoi një lofo me pesë medaljet e Kosovës.
Ai po punon që vendit tonë t’i sjell medalje të tjera në Olimpiadat e ardhshme, ndërsa gjasat që sportet tjera t’i sjellin medalje Kosovës janë goxha më të zbehta e të pakta. /Gazeta Express/