Në emisionin EURO n’T7 me Menduh Abazin është diskutuar për pasojat ekonomike si rrjedhojë e ngërçit politik.
Shkumbin Misini, profesor universitar, ka thënë se indikatorët makroekonomikë i kemi shumë më keq sesa kemi qenë përpara: kemi rritje të importit, rritje të kredive konsumuese, rritje të migrimit, ku sipas SBASHK-ut vetëm brenda një viti 600 mësimdhënës e kanë braktisur vendin dhe dhjetëra mijëra të rinj e të reja kanë zgjedhur rrugën e migrimit pikërisht për shkak të cilësisë së jetesës.
“Vetëm nga ikja e këtyre mësimdhënësve kemi 9 mijë euro më pak qarkullim ditor, 270 mijë euro në muaj. Pra vetëm nga ikja e mësimdhënësve kemi rënie të fuqisë blerëse për 270 mijë euro në muaj, paramendoni sa të rinj e të reja kanë lëshuar vendin”, ka thënë Misini.
Në anën tjetër, ai ka kritikuar ashpër lidershipin aktual duke thënë se “nuk e di si po kanë ftyrë me dalë në media” e me folur për suksese të vendit, derisa sipas tij të gjithë e dimë se vendi kurrë më keq nuk ka qenë.
“Kosova, për fat të keq, kurrë nuk ka qenë më keq. Ne po shkojmë drejt izolimit. Ja një shembull: në vitin 2020 importi ka qenë 3 miliardë e 286 milionë euro, derisa në fund të vitit 2024 importi ka qenë përafërsisht 7 miliardë, që i bie një rritje 100% e vlerës së importit. Eksporti i mallrave të Kosovës është zvogëluar, në vitin 2022 ka qenë 922 milionë euro, ndërsa në fund të 2024 janë 880 milionë. Qeveria ndoshta e bën krahasimin e vitit 2024 me 2002 dhe këtu iu del mirë, përndryshe gjendja është më keq sesa ka qenë”, ka shtuar Misini.
Sipas profesor Misinisë, deri në vitin 2020 Kosova ka qenë shumë më përpara krahasuar me vendet e Ballkanit Perëndimor, si Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia e Bosnja e Hercegovina, ndërsa sot jemi katër vjet mbrapa me zhvillim ekonomik se Bosnja dhe 10 vjet mbrapa Shqipërisë.