Sot nisi dita e tretë e deklaratave përmbyllëse në gjyqin kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi në Gjykatën Speciale, me seli në Hagë.
Ish-presidentin Thaçi e përfaqëson avokati Lluka Mishetiq.
Mishetiq po përmend tani çfarë kanë thënë disa dëshmitarë në mbrojtje të Thaçit.
“Ju keni dëgjuar nga dëshmitarët ndërkombëtarë që kanë thënë se Hashim Thaçi nuk dyshohej për krime lufte, ndërkohë që këto ngjarje po ndodhnin dhe po zhvilloheshin. Dëshmitarët ndërkombëtarë ju thanë se për këto ngjarje ishin të informuar përmes burimeve diplomatike, shërbimeve të inteligjencës dhe të tjera, si dhe përmes përvojave të tyre personale, përfshirë përvojat e tyre me Hashim Thaçin”.
Në mesin e figurave që dëshmuan në mbrojtje të Thaçit janë: ish-komandanti suprem i forcave aleate të NATO-s, Wesley Clark, ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin dhe diplomati i pensionuar amerikan, Christopher Hill.
Avokati e ka nisur fjalën e vet duke deklaruar se ish-presidenti i Kosovës, Thaçi është i pafajshëm dhe që kjo është pikënisja prej ku duhet të merret vendimi.
“Kur t’i filloni kuvendimet tuaja, ju do të filloni nga qëndrimi se Hashim Thaçi është i pafajshëm dhe më pas ju do të vlerësoni nëse provat e paraqitura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar ju kanë bindur juve, jashtë dyshimit të arsyeshëm, se Hashim Thaçi është fajtor”, u ka thënë Mishetiq gjyqtarëve./REL/