Avoakti i ish-presidentit Hashim Thaçi, Lluka Mishetiq, ka thënë se nuk është i vërtetë as pretendimi i Prokurorisë se Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, në verën e vitit 1998, ka refuzuar në çdo mënyrë të mundshme, “me zjarr” Qeverinë e zgjedhur të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe që ndërmorën hapa për të krijuar “një Qeveri të re”.
“Duhet të theksojmë që kjo është e pasaktë, faktikisht dhe juridikisht. Nuk ka ekzistuar një Qeveri e zgjedhur e LDK-së, s’ka pasur zgjedhje dhe s’ka pasur Qeveri të LDK-së. LDK-ja ka qenë parti politike, një grup joshtetëror dhe të ashtuquajturat zgjedhjet që ka mbajtur, kanë qenë zgjedhje joshtetërore. Madje, Qeveria e [Bujar] Bukoshit, as nuk ka qenë në Kosovë, ka qenë një Qeveri e ashtuquajtur ‘në mërgim’. LDK-ja nuk kishte më shumë legjitimitet sesa UÇK-ja për të pretenduar autoritetetin që pretendonin”.
Sa i përket pretendimit se UÇK-ja mori hapa për të krijuar një Qeveri të re:
“Për këtë Prokuroria citon deklaratën politike me numër shtatë. Por, është e qartë se ajo deklaratë politike trajton çështjen e krijimit të institucioneve të reja në kuadër të negociatave që do të mbaheshin me Serbinë dhe ndërmjetësoheshin nga ambasadori [Christopher] Hill. Deklarata nuk pretendonte se UÇK-ja po krijonte një Qeveri të re në vetvete, dhe do ta përjashtonte LDK-në”, ka thënë Mishetiq.
Lidhja Demokratike e Kosovës është një nga partitë më të vjetra në Kosovë, e themeluar në vitin 1989 nga Ibrahim Rugova.
Ajo ka luajtur rol kyç në periudhën e rezistencës paqësore dhe në ndërtimin e institucioneve demokratike të vendit./REL/