Kuvendi i Shqipërisë votoi sot me 82 vota pro programin qeverisës dhe përbërjen e Këshillit të Ministrave për katër vitet e ardhshme.
Seanca zgjati vetëm 25 minuta, pasi opozita bllokoi foltoren dhe nuk lejoi vijimin e prezantimit të programit qeverisës nga kryeministri Edi Rama. Po ashtu, deputetë të opozitës hodhën Librin e Kushtetutës dhe sende të tjera në drejtim të kryeministrit dhe të anëtarëve të qeverisë.
Kuvendi u mblodh sot për diskutuar programin qeverisës të propozuar nga kryetari i Partisë Socialiste dhe Kryeministri Edi Rama. Por, bllokimi i foltores nga opozita e shtyu kreun e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla të kërkonte kalimin në votim.
“Asnjëherë nuk ka ndodhur që fjala e Kryeministrit në një seancë solemne, që nga 2005, të ndërpritet. Çdo përpjekje për të ndërprerë solemnitetin e kësaj seance, fjalën e Kryeministrit nga një sjellje e padenjë për një anëtar të Kuvendit duhet të parashikohet nga Rregullorja e Kuvendit, siç ju vepruat. Kërkoj pesë minuta pushim. Nëse nuk reflektohet mbi këtë kërkesë dhe këtë parashikim të Rregullores, ne do të kalojmë në votim”, tha Balla.
Kryetari i Kuvedit, Niko Peleshi, vendosi masë “Vërejtje” për deputetin e Partisë Demokratike, Klevis Balliu. Por, situata nuk u qetësua dhe më pas Peleshi, hodhi në votim programin qeverisës dhe përbërjen e Këshillit të Ministrave, i cili u miratua me 82 vota pro, ndërkohë që opozita nuk mori pjesë në votim.
Më herët, teksa kryeministri Rama po prezantonte programin qeverisës iu drejtuar opozitës duke theksuar se nëse do të përdornin trupin si argument, “prania jonë këtu do të zgjasë sa një proces votimi”.
“Nuk është puna jo se çfarë bëni dhe çfarë thoni jashtë kësaj salle, por në këtë sallë. Dhe në respekt të zgjedhësve tuaj do të keni të gjithë vëmendjen tonë dhe të gjithë kohën që dëshironi nëse do të harroni përdorimin e trupit, të duarve, të këmbëve si argument dhe të zhurmës dhe të rënies me dorë të tavolinave si alternativë. Në të kundërt prania jonë këtu do të zgjasë sa një proces votimi. Mbajeni parasysh këtë”, tha Rama.
Në seancën e sotme pritej të zhvillohej debati me fokus te programin politik, ndërsa ishte rënë dakord që çdo deputet të fliste 10 minuta.
Qeveria e re e miratuar sot në Kuvend
Edi Rama, Kryeministër
Kryeministri ushtron edhe përgjegjësitë për ngritjen dhe funksionimin e Ministrit Virtual të Inteligjencës Artificiale “Diella”
Belinda Balluku, Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë
Albana Koçiu, Ministër i Punëve të Brendshme
Elisa Spiropali, Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme
Petrit Malaj, Ministër i Financave
Blendi Gonxhja, Ministër i Turizmit, Kulturës dhe Sportit
Sofjan Jaupaj, Ministër i Mjedisit
Mirela Kumbaro Furxhi, Ministër i Arsimit
Evis Sala, Ministër i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale
Delina Ibrahimaj, Ministër i Ekonomisë dhe Inovacionit
Besfort Lamallari, Ministër i Drejtësisë
Pirro Vengu, Ministër i Mbrojtjes
Andis Salla, Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Ervin Demo, Ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor
Majlinda Dhuka, Ministër Shteti dhe Kryenegociator
Adea Pirdeni, Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin
Toni Gogu Ministër i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin.