Një skenë e pazakontë ka tërhequr vëmendjen në takimin e ministrave të Mjedisit të BE-së në Luksemburg, ku Romina Pourmokhtari, ministrja suedeze, mori pjesë në mbledhje bashkë me djalin e saj 3 muajsh. 30-vjeçarja e mbante të voglin me një mbajtëse në kraharor, ndërsa shoqërohej edhe nga dadoja që mbante karrocën e bebes.
Sipas zyrtarëve europianë, besohet se kjo është hera e parë që një foshnje merr pjesë në një takim të tillë të Këshillit të Bashkimit Europian.
“Jam e lumtur të jem një shembull që nuk është e nevojshme të zgjedhësh mes të qenit një ministre e pranishme dhe një nënë e pranishme. Një nga gjërat që e bën Europën një vend të mrekullueshëm për të jetuar është pikërisht mundësia për të marrë pjesë në takime dhe njëkohësisht për t’u kujdesur për fëmijën tim”, tha Pourmokhtari.
Ky veprim i ministres suedeze është vlerësuar si një simbol i përpjekjeve për të lehtësuar sfidat që hasin gratë në balancimin e jetës profesionale me kujdesin për fëmijët. Studime të shumta tregojnë se nënat shpesh përballen me më pak mundësi promovimi dhe me pengesa në karrierë pas lindjes së një fëmije.