Ministria: Nuk ka krizë me furnizimin e naftës në Kosovë - Gazeta Express
string(55) "ministria-nuk-ka-krize-me-furnizimin-e-naftes-ne-kosove"

Lajme

Gazeta Express

11/03/2026 8:07

Ministria: Nuk ka krizë me furnizimin e naftës në Kosovë

Lajme

Gazeta Express

11/03/2026 8:07

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka njoftuar se në Kosovë nuk ka asnjë krizë në furnizimin me derivate të naftës.

Përmes një reagimi në Facebook të martën, ministrja Mimoza Kusari-Lila bëri të ditur se, bazuar në të dhënat nga subjektet që merren me importin dhe tregtimin e derivateve, stoqet janë në nivel të rregullt dhe brenda suazave të zakonshme, njësoj si para zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme.

Kusari-Lila i ka reaguar kryetarit të Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, i cili gjatë ditës së sotme kritikoi vendimin e MINT-it për vendosjen e çmimit tavan për derivatet e naftës. Ai ka theksuar se operatorët po detyrohen të importojnë naftë përmes kompanive nga Shqipëria, në mënyrë që Kosova të mos përballet me mungesë të furnizimit.

Në njoftimin e Ministrisë thuhet se furnizimi në treg është stabil dhe nuk ka ndërprerje, prandaj qytetarët nuk kanë arsye për panik apo për krijimin e rezervave të panevojshme të karburanteve.

Tutje theksohet se, duke marrë parasysh stabilizimin e çmimeve të derivateve në bursat ndërkombëtare, aktualisht nuk ka bazë për rritje të çmimeve në tregun vendor.

Ministria ka bërë të ditur se po monitoron vazhdimisht zbatimin e vendimit për marzhën e fitimit, ndërsa Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut është i angazhuar në terren për të siguruar respektimin e këtij vendimi dhe mbrojtjen e konsumatorëve.

Advertisement
Advertisement
Advertisement