Ministria fajëson komunën, Kaçaniku s’ka buxhet për themelimin e teatrit


Gazeta Express
18 Janar 2020 11:21

Artistët dhe dashamirët e artit në Kaçanik s’do ta kenë teatrin e tyre as këtë vit për shkak se Komuna është arsyetuar se s’ka buxhet, kurse Ministria e Kulturës ka kërkuar nga udhëheqja komunale të ndërmarrë veprime për ta themeluar vendin ku do të performonin aktorët dhe do të vallëzonin balerinët.

Sahide Brati*

Drejtori për Arsim dhe Kulturë në Kaçanik, Zahir Doda, ankohet se mungesa e mjeteve financiare është shkaku i vonesave për themelimin e teatrit të qytetit.  Madje, thotë se këtë projekt s’e kanë prioritet për këtë vit.

“Funksionalizimi i teatrit ka kosto që tash për tash Komuna e Kaçanikut nuk e përballon dot. Arsyeja e vetme që nuk funksionon teatri është mungesa e mjeteve financiare për të plotësuar kërkesat që i ka paraqitur komisioni nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit”, ka thënë Doda.

Megjithëkëtë, në Ministrinë e Kulturës janë shprehur të gatshëm ta ndihmojnë Kaçanikun për ta çuar përpara këtë projekt të artistëve.

“Ne si ministri duhet me përcjellë anën formale të përmbushjes së kritereve nga ana e organeve komunale dhe në këtë segment jemi të gatshëm me dhënë edhe më tutje kontributin, nëse veç Komuna e Kaçanikut ka një vullnet, një dëshirë, një qasje serioze për ta funksionalizu këtë teatër”, ka thënë drejtoresha e Departamentit të Kulturës në MKRS, Jehona Shyti.

Sipas saj, Kaçaniku, por edhe komunat e tjera, duhet të krijojnë kushte për artistët e shumtë që mund ta mbajnë gjallë jetën teatrale.

“Ne konsiderojmë që Komuna e Kaçanikut, si shumica e komunave të tjera të Kosovës, duhet me pas një teatër të qytetit edhe besoj që organet komunale duhet me marrë më me seriozitet këtë punë, me i pa mundësitë, me bë përpjekje serioze”, ka thënë ajo.

Aktualisht, qytetet kryesore në Kosovë i kanë themeluar teatrot e tyre. Pos Prishtinës, vend ku luhen shfaqjet kanë edhe Gjilani, Ferizaj, Gjakova, Prizreni dhe Mitrovica.

 Përgjegjësja për Kulturë në MKRS thotë se është e pakënaqur me komunat në përgjithësi sa i përket angazhimit të tyre në fushën e kulturës.

“Unë si drejtoreshë e Departamentit të Kulturës dhe ne si Ministri e Kulturës jemi të zhgënjyer me qasjen e komunave sa i përket mbështetjes së teatrove dhe institucioneve tjera të kulturës”, shtoi ajo.

Sidoqoftë, në muajin shkurt bëhen dy vjet nga kërkesa e një grupi të aktorëve për themelimin e teatrit të qytetit, drejtuar Kuvendit Komunal,  i cili e pati miratuar këtë iniciativë një muaj më vonë.

Megjithatë, gjithçka ka mbetur vetëm në letër. Kjo ishte edhe arsyeja që përmes shfaqjes ‘’Budallenjtë’’, më 1 nëntor 2019, u protestua nga disa aktorë kaçanikas.

Pavarësisht shpjegimeve të zyrtarëve në nivelin qendror dhe lokal, regjisori Ben Apolloni, iniciator i themelimit të teatrit, i fajëson udhëheqësit e komunës pse s’po realizohet projekti i nisur më 2018.

“Keqqeverisja është arsyeja që nuk është bërë teatri. Ata njerëz, të cilët e qeverisin Kaçanikun, qeverisin keq. I kanë inatet e tyre dhe s`duan që të ketë kulturë. Nuk duan që të ketë gjëra të mira në atë qytet”, tha Apolloni.

 Për realizimin e kërkesës së tyre, disa aktorë kishin reaguar në forma të ndryshme.

“Ne vazhdimisht i kemi kritikuar, kemi bërë zhurmë nëpër medie. I kemi përdorë mjetet që i përdor qytetari në demokraci, kjo është mënyra e vetme që ne e kemi, domethënë, të reagojmë e të protestojmë në rrjete sociale, në medie”, tha ai.

Sidoqoftë, Apolloni beson se teatri do te themelohet një ditë.

“Teatri do të bëhet, ata një ditë do të largohen nga pozitat që kanë”, deklaron ai.

Aktori tjetër, Lulzim Rexha, e gjen fajin tjetërkund pse s’po themelohet teatri.

“Arsyet janë shumë të qarta e konkrete, janë inate personale”, thotë Rexha pa dhënë shumë detaje.

Me ligj, teatrot financohen dhe mirëmbahen nga komunat, kurse Ministria e Kulturës është vetëm licencuese dhe mbikëqyrëse e punës së tyre. Kosova ka teatër prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Teatri Kombëtar është themeluar në vitin 1946 në Prizren, për t’u zhvendosur më vonë në Prishtinë.

*Sahide Brati është studente e vitit të parë në Departamentin e Gazetarisë në UP.

Te fundit


Kthehu lart