Autoritetet e reja në Siri u kanë kërkuar grave të veshin burkini ose rroba që mbulojnë të gjithë trupin në plazhet publike. Kjo masë, megjithatë, nuk vlen për komplekset private hoteliere luksoze.
Vendimi i Ministrisë së Turizmit vjen gjashtë muaj pas rrëzimit të regjimit të Bashar al-Assad nga një koalicion islamist. Në një deklaratë, ministria e justifikoi masën me “interesin e përbashkët” dhe bëri thirrje për veshje “më modeste” në zonat bregdetare. Gratë në veçanti janë të detyruara të veshin burkini ose rroba banje që mbulojnë trupin tërësisht. Përtej plazheve, gratë duhet të veshin rroba të gjera që mbulojnë shpatullat dhe gjunjët, duke shmangur çdo veshje transparente ose të ngushtë. Edhe burrave u ndalohet të qëndrojnë me gjoks të zhveshur në hapësira publike.
Kufizimet nuk zbatohen për komplekset hoteliere luksoze private, ku lejohen rroba banje në stilin perëndimor. Megjithatë, hotelet e tjera janë të detyruara të respektojnë udhëzimet e reja të ministrisë.
Ministria nuk ka sqaruar ende nëse do të ketë sanksione për shkeljen e rregullave dhe çfarë natyre do të kenë ato.