Ministria e Shëndetësisë paralajmëron masa ligjore ndaj deputetes që publikoi diagnozën e pacientëve - Gazeta Express
string(100) "ministria-e-shendetesise-paralajmeron-masa-ligjore-ndaj-deputetes-qe-publikoi-diagnozen-e-pacienteve"

Ministria e Shëndetësisë paralajmëron masa ligjore ndaj deputetes që publikoi diagnozën e pacientëve

Gazeta Express

02/05/2020 17:32

Ministria e Shëndetësisë në krye me Arben Vitinë ka paralajmëruar masa ligjore ndaj deputetes së AAK’së, Time Kadrijajt, e cila publikoi diagnozën dhe identitetin e personave që janë liruar nga karantina në Qendrën e Studentëve, raporton Express.

Përmes një njoftimi në faqen zyrtare, MSh’ja e ka dënuar ashpër publikimin e vendimeve të cilat shpalosin gjendjen shëndetësore dhe identitetin e personave të cilët janë kontrolluar sipas protokollit shëndetësor, të përcaktuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës.

Lexo Edhe:

“Njëkohësisht, njoftojmë opinionin publik se Ministria e Shëndetësisë, si institucion, do të ndërmerr çdo veprim në pajtim me ligjin ndaj personave që kanë cenuar rëndë privatësinë e qytetarëve të cilët janë kontrolluar nga profesionistët shëndetësor”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, deputetja e AAK’së, Time Kadriaj ka thënë se Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i ka liruar nga karantina disa aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, derisa ka publikuar edheemrat e tyre dhe diagnozën. Në vendimin e publikuar nga Kadrijaj, shkruan se personat që lirohen nga karantina janë raste psikiatrike.

Ndaj këtij postimi të Kadrijajt ka reaguar Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Ajo ka thënë se është e shokuar nga ky nivel.

“Kjo çfarë bëri sot znj. Kadriaj është kulmi. Për të  goditur politikisht ka dëmtuar rëndë dinjitetin dhe integritetin e personave duke publikuar emrat dhe diagnozat e tyre. Pra, zonja Kadriaj që vetë thotë se është mjeke sot na dëshmoi të kundërtën. Kjo është çnjerëzore, e pajustifikueshme, shumë ultë dhe në kundërshtim me legjislacionin dhe konventat evropiane”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Për publikimin e emrave dhe diagnozës nga Kadrijaj, ka reaguar edhe deputeti i Vetëvendosjes, Fitim Uka.

Ai ka thënë se ky veprim përbën shkelje të shumëfishtë të të drejtave të njeriut dhe në veçanti të të drejtave të pacientëve.

Uka ka kërkuar nga deputetja e AAK’së që ta fshijë sa më parë këtë postim dhe të kërkojë falje, derisa u ka bërë thirrje organeve të drejtësisë dhe Avokatit të Popullit që të trajtojnë urgjentisht këtë çështje.

 “Ftoj zonjën Time Kadriaj, që sa më parë të jetë e mundshme të largoj këtë postim të turpshëm dhe të kërkoj falje. Por, ftoj edhe organet e drejtësisë, në këtë rast avokatin e Popullit, që të trajtoj urgjentisht këtë çështje”, ka shkruar Uka. /Gazeta Expres