Ministria e Mbrojtjes u blen mbi 14 mijë euro ushqim qenve të FSK-së - Gazeta Express
string(67) "ministria-e-mbrojtjes-u-blen-mbi-14-mije-euro-ushqim-qenve-te-fskse"

Gazeta Express

22/09/2020 12:53

Ministria e Mbrojtjes u blen mbi 14 mijë euro ushqim qenve të FSK-së

Gazeta Express

22/09/2020 12:53

Për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), qentë janë jashtëzakonisht të rëndësishëm. Për t’i furnizuar ata me ushqim, Ministria e Mbrojtjes së fundi ka nënshkruar një kontratë me kompaninë “Artius GROUP”.

Kontrata e titulluar “Furnizim me ushqim për kafshë për nevoja të FSK-së” do t’i kushtojë Ministrisë së Mbrojtjes 14 mijë e 850 euro. Me këtë kontratë do të bëhet furnizimi me ushqim i qenve të FSK-së për një periudhë prej 36 muajsh, raporton Gazeta Express.

Lexo Edhe:

Në përshkrimin e kontratës specifikohet se kompania e kontraktuar do t’i furnizojë qentë me ushqim të thatë dhe ushqim të lëngshëm të konservuar.

“AK i MM-së ka për qellim që të lidhë një kontratë kornizë 36 muajsh me një OE që do të ketë kapacitet ekonomik, teknik dhe profesional të kryejë këto lloje të furnizimeve (ushqim i thatë si dhe ushqim i lëngshëm i konservuar), sipas kërkesës dhe nevojave të AK, në përputhje të plotë me specifikat teknike të dhëna në DT aneks 1 (specifikacioni teknik i detyrueshëm). Sasia indikative e parashikuar për tre vite është ushqim i thatë 250kg, si dhe ushqim i lëngshëm i konservuar 400- 450gr 1000 copë. Afatet e liferimit pas çdo urdhërblerje jo më shumë se 30 ditë”, thuhet në përshkrimin e njoftimit për nënshkrimin e kontratës.

Blerja do të bëhet me këste, ndërsa ushqimi do të dorëzohet në depot qendrore në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë.

Dy qenë të FSK-së, Alli dhe Sadak, duke gjurmuar ata që kishin mbetur nën rrënojat e objekteve që i la tërmeti shkatërrues në Shqipëri, ishin bërë heronjtë e asaj fatkeqësie natyrore, duke shpëtuar shumë jetë njerëzish.

Pas kësaj, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta kishte ardhur në kazermën e FSK-së, “Adem Jashari” në Prishtinë për ta falënderuar këtë institucion për ndihmën e dhënë. Ai nuk i harroi veçanërisht qentë e FSK-së, Alli dhe Sadak, duke shprehur mirënjohje edhe për përgjegjësit e trajnuesit e tyre. /Express/