Ministria e Jashtme sllovene: Presidenti dhe kryeministri serb nuk u ftuan në Forumin Strategjik të Bledit, kërkesa e Vuçiqit u refuzua - Gazeta Express
string(133) "ministria-e-jashtme-sllovene-presidenti-dhe-kryeministri-serb-nuk-u-ftuan-ne-forumin-strategjik-te-bledit-kerkesa-e-vuciqit-u-refuzua"

Lajme

Gazeta Express

04/09/2025 12:12

Ministria e Jashtme sllovene: Presidenti dhe kryeministri serb nuk u ftuan në Forumin Strategjik të Bledit, kërkesa e Vuçiqit u refuzua

Lajme

Gazeta Express

04/09/2025 12:12

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, së bashku me kryeministrin e emëruar Djuro Macut, nuk kanë qenë të ftuar në Forumin Strategjik të Bledit në Slloveni – ka konfirmuar zyrtarisht Ministria e Jashtme sllovene për televizionin N1 Slovenia.

Sipas burimeve jozyrtare, vetë Vuçiq kishte kërkuar që të marrë pjesë në këtë forum, por kërkesa e tij u refuzua.

Ministria sllovene sqaroi se i vetmi përfaqësues i ftuar nga Serbia ishte ministri i Jashtëm, Marko Gjuriq, i cili edhe mori pjesë në forum.

Por, nga Pekini, Vuçiq dha një version krejtësisht tjetër të ngjarjes. Ai deklaroi se kryeministri Macut ishte ftuar, por “me të drejtë” nuk kishte shkuar për shkak të pjesëmarrjes së “bllokuesve” (opozitës), të cilët – sipas tij – “prej 13-14 vitesh përgatiten të marrin pushtetin në Serbi”.

Në vend që të udhëtonte në Slloveni, Vuçiq zgjodhi të shkojë në Kinë, ku mori pjesë në një paradë ushtarake me rastin e 80-vjetorit të fitores në Luftën e Dytë Botërore. Ai krahasoi “rëndësinë” e kësaj vizite me atë që do të kishte në Bled, duke thënë se takimet me liderë si Xi Jinping, Vladimir Putin dhe të tjerë janë “si Premier Liga përkundrejt një lige lokale”.

Më 21 gusht, Vuçiq i kishte shkruar një letër presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ku justifikonte dhunën policore në Serbi si reagim ndaj protestave studentore, të cilat i përshkruan si të dhunshme dhe të orkestruara nga “ekstremistë opozitarë”.

Në letër, ai akuzonte mediat dhe OJQ-të për përhapjen e dezinformatave, duke përmendur edhe shembullin e aktivistes Nikolina Sindjelic, të cilën e cilëson si pjesëtare të opozitës që kishte shpifur pa prova kundër policisë.

Por vetëm disa javë më vonë, nga Pekini, Vuçiq ndërron tonin. Ai thotë se vizita në Kinë nuk e pengon rrugën evropiane të Serbisë dhe ironizon Bashkimin Evropian për qasjen e tij ndaj Kinës.

“E gjithë Komisioni Evropian ka qenë në Pekin. A mos ndryshoi rruga evropiane e BE-së për këtë? Tani kur më panë mua këtu, do të ndërrojë kursi i Serbisë?”, pyeti ai me ironi.

Vuçiq shtoi se askush në BE nuk ka të drejtë t’i kritikojë takimet e tij me partnerë si Kina dhe Rusia. “Unë nuk jam i interesuar se çfarë do të thonë të tjerët, por vetëm se çfarë mendon populli im”, tha ai, duke shtuar se ishte në Kinë për të siguruar investime, gaz dhe mbrojtjen e integritetit territorial të Serbisë.

Ky qëndrim kontradiktor i Vuçiqit – nga kërkesa për të marrë pjesë në një forum evropian, deri te sulmet dhe ironitë kundër BE-së nga Kina – është përshkruar nga analistët si një formë e qartë dyfytyrësie diplomatike.

Nga njëra anë, sipas tyre, Vuçiq përpiqet të prezantohet si aleat i BE-së dhe mbrojtës i vlerave demokratike; nga ana tjetër, ai zhvillon marrëdhënie të ngushta me regjime autoritare si Kina dhe Rusia, ndërsa stigmatizon protestat dhe mediat kritike si kërcënime për stabilitetin kombëtar.