Ministria izraelite për Bashkëpunim Rajonal, zyrtarë të lartë të së cilës ishin për vizitë dhe marrëveshje në Kosovë këtë javë, ka ndarë një mesazh mjaft domethënës për sinqeritetin e partneritetit Kosovë-Izrael
Pas dy memorandumeve të bashkëpunimit të nënshkruara me Ministrinë e Arsimit dhe atë të Mjedisit, zyrtarët izraelitë të Ministrisë së Bashkëpunimit Rajonal u ndanë jashtëzakonisht të lumtur nga mikpritja në Kosovë.
“Disa vende menjëherë të bëjnë të ndihesh si në shtëpi. Kosova është njëra nga to – jo vetëm sepse është një shtet i ri më një dëshirë të thellë, me përulësi por ambicioze, për të ecur krah për krah Izraelit – por po ashtu për shkak të ngrohtësisë së popullit dhe mikpritjes së jashtëzakonshme”, thuhet në reagimin e kësaj Ministrie pas vizitës në vendin tonë.
Gjatë vizitës që pati Drejtori i Përgjithshëm i kësaj Ministrie të Izraelit, disa takime u zhvilluan me ministra dhe zyrtarë të lartë kosovarë në fushat e teknologjisë, arsimit, botës akademike, mjedisit dhe nga degë të tjera po ashtu.
Ministria izraelite tha se ajo që i bashkon Izraelin dhe Kosovën është dëshira e sinqertë për të krijuar projekte domethënëse dhe me ndikim, të tilla që i bashkojnë njerëzit mes vete.
Që nga krijimi i marrëdhënieve diplomatike me Izraelin në vitin 2021, Kosova ka përfituar nga bashkëpunimi dhe memorandumet e nënshkruara në disa fusha, veçanërisht në arsim dhe bujqësi. Përpos kësaj, Izraeli gjithashtu mori vendimin për t’ua hequr vizat shtetasve kosovarë që duan të udhëtojnë drejt Shtetit Hebre