Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka dalë me një reagim rreth deklaratës së publikuar nga Avokati i Popullit lidhur me kërkesën për verifikimin e rezidencës për përfituesit e shtesave për fëmijë, për të cilën Ministria thotë se është e pasaktë dhe se e dëmton rëndë reputacionin e shtetit tonë.
Avokati i Popullit më herët ka njoftuar se ka kryer hetime sipas detyrës zyrtare pas pranimit të ankesave të shumta, që kryesisht vinin nga komuniteti serb, me ankesa për pezullimin e pagesës së shtesës për fëmijë.
Ankuesit kanë njoftuar se i pranonin shtesat e fëmijëve nga shtatori 2021 e deri më dhjetor 2024. Ndërsa, në periudhën prej muajit gusht e deri më dhjetor 2024, Departamenti i Skemave Sociale i MFPT-së u ka kërkuar përfituesve verifikimin e dokumenteve për shtesën e fëmijëve.
Por, Ministria e Financave ka thënë se janë të pavërteta deklaratat për diskriminim mbi baza etnike dhe thotë se qëllimi i verifikimit të rezidencës për përfituesit e shtesave për fëmijë është që të sigurohen se nga to përfitojnë familjet që jetojnë në Kosovë, duke mbrojtur kështu paranë publike dhe duke garantuar që mbështetja shkon tek nënshtetasit rezidentë që jetojnë në Kosovë.
“Për këtë arsye, MFPT ka pezulluar përkohësisht pagesat për një numër të kufizuar të përfituesve, duke kërkuar dokumentacion shtesë me qëllimin e vetëm verifikimin e vendbanimit të tyre”, thuhet në reagimin e Ministrisë.
Ajo tha se përzgjedhja e këtyre familjeve është bërë në mënyrë të paanshme dhe nuk është ndikuar në asnjë formë nga përkatësia etnike e përfituesve.
“Skema e shtesave për fëmijë që nga fillimi ka karakter gjithëpërfshirës dhe përfitues të saj janë mbi 400,000 fëmijë bazuar në kriteret themelore: moshën e fëmijëve dhe të qenit shtetas rezident i Kosovës”.
“Në deklaratën e Avokatit të Popullit të publikuar sot, i atribuohet kuptim negativ edhe kërkesës për regjistrim në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, kur në fakt kjo u mundëson një alternativë shtesë qytetarëve që nuk kanë dorëzuar dokumentacionin e plotë, që përmes ASK-së të konfirmojnë rezidencën dhe të rifitojnë të drejtën për përfitim nga shtesat për fëmijë”.
Ministria tha se vlen të theksohet se regjistrimi në ASK është një obligim ligjor për çdo qytetar rezident në Kosovë dhe nuk mund të konsiderohet diskriminues, aq më tepër nga një institucion tjetër shtetëror.
“Regjistrimi në ASK përveç se obligim ligjor, mundëson planifikimin më të mirë të politikave për të gjithë qytetarët pa dallim nacionalitetin e tyre. Deklaratat e pavërteta për diskriminim mbi baza etnike të bëra sot në komunikatën e Avokatit të Popullit, pa u mbështetur në të dhëna empirike e pa as të vetmin argument, përveç se shkaktojnë paqartësi tek qytetarët, ato dëmtojnë rëndë edhe reputacionin e vendit tonë si vend që respekton të drejtat e barabarta për të gjithë”.
MFPT tha se mbetet e përkushtuar të bashkëpunojë me institucionet relevante dhe të gjithë qytetarët, për të siguruar që shtetasit rezidentë vazhdojnë të përfitojnë nga skema universale e shtesave për fëmijë./Express/