Ministri serb i Ndërtimit jep dorëheqje, por thotë se s’ndihet fajtor për incidentin në Novi Sad - Gazeta Express
string(94) "ministri-serb-i-ndertimit-jep-doreheqje-por-thote-se-sndihet-fajtor-per-incidentin-ne-novi-sad"

Lajme

Gazeta Express

04/11/2024 18:57

Ministri serb i Ndërtimit jep dorëheqje, por thotë se s’ndihet fajtor për incidentin në Novi Sad

Lajme

Gazeta Express

04/11/2024 18:57

Ministri i Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës i Serbisë, Goran Vesiq, njoftoi të hënën se do të japë dorëheqje nga posti zyrtarisht më 5 nëntor, pas incidentit vdekjeprurës në Novi Sad javën e kaluar.

Megjithatë, Vesiq tha në një konferencë të jashtëzakonshme për media se nuk e pranon fajin për incidentin, por se po tërhiqet si “njeri i përgjegjshëm”.

Lexo Edhe:

Së paku 14 njerëz humbën jetë si pasojë e shembjes së një strehe prej betoni në stacionin hekurudhor në qytetin verior të Serbisë të premten. Tre njerëz u lënduan dhe ende janë në gjendje të rëndë.

“Nuk mund ta pranoj fajin për vdekjen e 14 personave, sepse as unë dhe as personat që punojnë me mua nuk kemi as më të voglën përgjegjësi për tragjedinë që ndodhi”, tha Vesiq.

Vesiq tha se si ministër “nuk ka miratuar asnjë akt që mund të ketë ndikim në rezultatin e projektit” të rindërtimit të stacionit hekurudhor në Novi Sad.

Ai i bëri thirrje prokurorisë të përcaktojë se kush e ka përgjegjësinë për vdekjen e 14 personave.

Vesiq tha se dorëheqjen ia ka ofruar kryeministrit të vendit Millosh Vuçeviq në të njëjtën ditë kur ka ndodhur aksidenti dhe se synimin ia ka komunikuar edhe presidentit Aleksandar Vuçiq.

Qindra njerëz u mblodhën të dielën para Ministrisë së Ministrisë së Ndërtimtarisë, Transportit dhe Infrastrukturës në Beograd, ku kërkuan dorëheqjen Vesiqit dhe llogaridhënie nga Qeveria për incidentin në Novi Sad.

Nuk dihen ende arsyet e shembjes së mbulesës së betonit të Stacionit Hekurudhor.

Prokuroria e Lartë Publike në Novi Sad tha se i ka dëgjuar dëshmitë e 40 njerëzve deri më 3 nëntor, duke përfshirë ministrin Vesiq dhe ata që janë përgjegjës për “Hekurudhat e Serbisë” dhe “Infrastrukturën e Hekurudhave të Serbisë”, si dhe ata që janë përgjegjës për kryerjen e punëve.

Presidenti serb Vuçiq tha të hënën se është “i sigurt” se autoritetet kompetente shtetërore do ta gjejnë se kush është përgjegjës për tragjedinë.

Ndërtesa e stacionit kryesor hekurudhor në Novi Sad është hapur në korrik të vitit 2024, pas tre vjetësh të rindërtimit.

Institucioni i hekurudhave serbe ka thënë në ditën e incidentit se streha e betonit që është shembur “nuk është rindërtuar dhe nuk ka qenë pjesë e renovimeve”.

Megjithatë, ekspertët deklarojnë se edhe ajo pjesë ka qenë subjekt i rindërtimit.

Punimet për rindërtim janë kryer nga një konsorcium kinez. /REL