Ministri i Rinisë dhe Sportit, Blerim Gashani, ka marrë vendim për rritjen e koeficientit të mbështetjes financiare për sportistet dhe trajneret femra në Kosovë.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, koeficienti i mbështetjes është rritur me 100 për qind, duke bërë që përkrahja mujore të dyfishohet nga 200 euro në 400 euro.
Nga ministria bëhet e ditur se ky vendim konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt fuqizimit të grave në sport, si dhe për krijimin e më shumë mundësive për zhvillim profesional dhe përfaqësim dinjitoz në arenën sportive.
Institucioni thekson se sportistet kosovare kanë sjellë ndër vite disa nga sukseset më të mëdha ndërkombëtare për vendin, duke ngritur flamurin e Kosovës në gara të ndryshme dhe duke promovuar sportin kosovar në botë.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka bërë të ditur se do të vazhdojë të mbështesë sportistet dhe trajneret femra përmes politikave dhe mekanizmave që synojnë zhvillim të barabartë dhe avancim të sportit në Kosovë.
NJOFTIMI I PLOTË NGA MINISTRIA E RINISË DHE SPORTIT:
“Ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, ka marrë vendim për rritjen e koeficientit të mbështetjes për sportistet dhe trajneret femra me 100%. Me këtë vendim, mbështetja financiare dyfishohet nga 200€ në 400€.
Ky vendim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt fuqizimit të grave në sport dhe krijimit të më shumë mundësive për zhvillim profesional, përkushtim dhe përfaqësim të denjë në arenën sportive.
Sportistet e Kosovës kanë sjellë ndër vite sukseset më të mëdha ndërkombëtare për vendin tonë, duke ngritur lart flamurin e Kosovës dhe duke promovuar sportin kosovar në arenën ndërkombëtare.
Ministria e Sportit dhe Rinisë mbetet e përkushtuar për të mbështetur sportistet dhe trajneret femra, duke krijuar politika dhe mekanizma që kontribuojnë në zhvillimin e barabartë dhe avancimin e sportit në vend”./GazetaExpress/