Debati për ndërtimin e stadiumit nacional në Kosovë po rikthehet fuqishëm në qendër të vëmendjes, i nxitur nga kërkesa gjithnjë e më e madhe e tifozëve dhe mungesa e kapaciteteve aktuale për t’i përballuar ato.
Interesimi masiv për ndeshjet e Kombëtares së Kosovës, ka nxjerrë në pah kufizimet serioze të stadiumit “Fadil Vokrri”, ndërsa institucionet dhe akterët e ndryshëm vazhdojnë të diskutojnë për zgjidhjen më të mirë dhe më të shpejtë për ndërtimin e një impianti të ri modern.
Në këtë kontekst, kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka vënë theksin tek presioni i jashtëzakonshëm nga tifozët dhe pamundësia për t’i përmbushur kërkesat për bileta.
Ai ka nënvizuar nevojën urgjente për një stadium të ri që përmbush standardet ndërkombëtare, duke e cilësuar këtë si një domosdoshmëri të menjëhershme për futbollin kosovar.
Tash e sa vite, problemi më i madh për ndërtimin e këtij stadiumi ka qenë çështja e lokacionti se ku do të ndërtohet, me Drenasin dhe Bërrnicën në Prishtinë si dy vendet më të përfolura. Por duket se ka zhvillime të reja në këtë drejtim.

Ministri i Rinisë dhe Sportit, Blerim Gashani, në një intervistë për emisionin “SportCast” në “KosovaPress”, ka theksuar se aktualisht një nga alternativat më të realizueshme mbetet zona e Drenasit.
“Unë nuk është se loboj për një pjesë gjeografike për arsye që jam i lidhur, mirëpo do të shoh opsionet, momentalisht opsioni më real është ai për arsye që janë bërë edhe disa hapa nga Komuna e Drenasit, shumica e qytetarëve tanë kur përmendet lokacioni në komunën e Drenasit mendojnë që është diku thellë në rajonin e Drenasit”, ka thënë
ai fillimisht.
“Unë jam i lindur dhe i rritur në atë pjesë dhe e di mirë atë pjesë, mirëpo duhet ta dinë që është administrativisht dhe gjeografikisht në komunën e Drenasit por është shumë afër aeroportit tonë, është pika e fundit në mes të rajonit të Drenasit dhe Fushë Kosovës në atë pjesë, kështu që është një rajon, nuk po them me këtë se po lobojë për atë rajon, për atë pjesë, mirëpo unë jam idhtarë i asaj që le ta bëjmë punën që të ndërtohet stadiumi, nuk ka rëndësi shumë a do të jetë aty apo diku tjetër sepse ekipet profesionale do të thonë punën e tyre”, shtoi ai.